Çmontohet banda e trafikut të drogës në Itali, “kapot” 2 vëllezër shqiptarë

Policia italiane ka goditur një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës. Në krye të bandës ishin dy vëllezër shqiptarë.

Sipas medieve italiane, pjesëtarët e bandës përdornin makina të modifikuara posaçërisht për të transportuar fshehurazi drogën që importohej në rrugë tokësore në Itali nga Belgjika dhe Holanda.

Anëtarët e bandës akuzohen për tregtim të sasive të mëdha të kokainës.

Rezultatet e operacionit u bënë publike në një konferencë për shtyp  nga karabinierët.

Operacioni bëri të mundur çmontimin dhe vënien para përgjegjësisë së anëtarëve të një shoqate kriminale të mirëorganizuar dhe të strukturuar, të dedikuar për trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, të importuara nga jashtë dhe të selektuara në provincën e Brescias, Bergamo dhe në provinca të tjera të shumta të Italisë qendrore-veriore.

Në krye të strukturës ishin dy vëllezër shqiptarë me banim në Fiesole, të cilët kishin ngritur bazën logjistike dhe qendrën e klasifikimit për ngarkesat e drogës që lëviznin drejt Italisë veriore pikërisht në Toskanë.

Hetimi antidrogë bëri të mundur arrestimin e 7 personave dhe çoi në sekuestrimin e 11 kilogram kokainë, 1 kilogram marijuanë dhe 50 mijë euro cash.

Dy vëllezërit përdornin një korrier italian me banim në provincën e Pistoias, të cilit i kishin besuar detyrën për të shkuar jashtë vendit dhe për të gjetur ngarkesat e kokainës.

Për udhëtimet, korrieri përdorte makina të pajisura me ndarje sekrete që lejonin fshehjen e drogës dhe kalimin e sigurt pavarësisht kontrolleve policore. /Albeu.com/


Shtuar 19.06.2023 11:07