Ambasada amerikane: Votuesit e thanë fjalën e tyre, të formohet qeveria e re
Ambasada e Shteteve të Bashkuara nëpërmjet një njoftimi ka përgëzuar popullin e Kosovës për zgjedhjet demokratike të mbajtura dje.

"Me interesim të lartë presim raportimet e misionit zyrtarë vëzhgues. Përderisa jemi të shqetësuar nga disa raportime për prezencën e listave të vjetra të votuesve, votimeve të dyfishta dhe parregullsive tjera sporadike, përgëzojmë Komisionin Qendror Zgjedhor, Komisionerët nëpër vendvotime, OSBE-në dhe të gjitha ekipet tjera monitoruese dhe vëzhguese për punën e tyre të jashtëzakonshme.

Gjithashtu, zotohemi për mbështetjen tonë të vazhdueshme gjatë tërë kohës sa zgjat procesi i certifikimit të votave dhe të gjitha raportimet mbi parregullsi të jenë hetuar hollësisht dhe zgjidhur në përputhje me ligjet e Kosovës", shkruhet në njoftim.

Sipas ambasadës, procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar pasi votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre.

"Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës pavarësisht përkatësisë partiake do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik", shkruhet në njoftim. /albeu.com/
Shtuar më 12/06/2017, ora 17:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori