Ambasada amerikane kërkon dënimin e përgjegjësve për rrëmbimin e mësuesve turq
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka reaguar për mos marrjen e masave adekuate ligjore ndaj institucioneve përgjegjëse për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, duke vlerwsuar se “presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike”.

“Kaloi afro një vit që kur Kosova pa një proces të rregullt dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij”, thuhet në kumtesën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, përcjell Telegrafi.


Më tej në kumtesë thuhet se “Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe rikujtojmë liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”.

“Nuk kemi të bëjmë me fajësinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjoreKosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, thuhet në kumtesën e Ambasadës amerikane.
Shtuar më 11/03/2019, ora 17:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori