Almhofer: Gratë, viktimat e dhunës në Kosovë
Pëlqej
Prishtina
Gratë janë viktimat e dhunës. Kështu deklaroi shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer.

Me rastin e 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, Almhofer, ka vënë në pah se shifrat zyrtare të policisë tregojnë se të gjitha viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë janë gra.

“Përveç kësaj, gjatë nëntëmujorit të këtij viti, janë raportuar 620 raste të dhunës në familje, nga të cilat 95 % të rasteve janë gra. Këto statistika nuk paraqesin gjendjen reale pasi shumë raste mbesin të paraportuara. Problemi është i qartë, dhuna kundër femrave është një pengesë e madhe dhe me ndikim të gjerë për shoqërinë që nuk duhet më të tolerohet”, ka thënë Almhofer.

Shefi i OSBE-së, ka thënë se gratë në Kosovë ende nuk kanë mundësi të barabarta dhe përballen me vështirësi në arsim dhe punësim, e sidomos në mbajtjen e posteve drejtuese.

“Ato gjithashtu kanë vështirësi në pjesëmarrje në proçesin e vendimmarrjes dhe në trashëgimi të pronës”, ka thene Almhofer.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të vazhdojnë implementimin e Konventës për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas.
Shtuar më 24/11/2010, ora 17:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori