Dyshime se lejuan kultivimin e drogës, Apeli liron 4 policët e Velipojës

Gjykata e Apelit ka liruar nga akuzat 4 punonjësit e postës së policisë Velipojë të cilët u arrestuan një muaj më parë.

Gjykata e rrethit kishte vendosur masën “Arrest shtëpie”, ndërkohë që sot trupa e Apelit me në krye gjyqtarin Fuat Vjerdha ka vendosur si arrest të paligjshëm për katër efektiviët e policisë.

Ata janë N/Komisar Z. S., 40 vjeç, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë;

N/Komisar A. H., 45 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë;

Inspektor E. L., 34 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë;

Inspektor H. B., 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë.

Prokuroria dyshonte se me veprimet dhe mosveprimet e tyre, si persona me fushë përgjegjësie direkte, këta punonjës dyshohet se kanë favorizuar kultivimin e sasive të konsiderueshme të bimëve narkotike në zona që kanë pasur mundësi të mbikëqyren e kontrollohen në kuadër edhe të Planit të Veprimit dhe Planit Operacional të DVP-së.