Albin Kurti-Midis ligjit dhe legjitimitetit
Prof. Lisen BASHKURTI

Jam i rezervuar të ndërhyj në zgjedhjet politike në Kosovë. Kjo jo vetëm për parimësi demokratike, pra të respektimit të verdiktit të popullit, por edhe për ndjesi kombëtare, pra të ruajtjes së ekulibrit dhe ekuidistancës me të gjithë aktorët dhe faktorët politik në Kosovë. Athere përse po prononcohem publikisht kësaj here? Arsyeja është e thjeshtë: vendimi për lënien jashtë listës zgjedhore të Albin Kurtit ka krijuar paqartësi e dilema shqetësuese politike dhe juridike në Kosovë dhe jashtë saj. Pa hyrë në detaje ligjore, të cilat janë me njëmijë e një probleme, do ndalem vetëm te dilema midis ligjit dhe legjitimitetit.

E drejta e pengon, politika e lejon
Sistemi ligjor në një shtet demokratik është i ndërtuar mbi parimin e sistemit kapilar, ku asnjë venë dhe arterie e tij nuk qëndrojë më vehte, e shkëputur, e mbivendosur apo e përplasur me sistemet e tjera bashkëekzistuese. Kështu të drejtat ligjore dhe të drejtat politike në shtetin e të drejtës janë të integruara në një mënyrë të tillë që atë që perjashton e drejta, e perjashton edhe politika dhe cdo sferë tjetër shoqërore, për aq kohë sa politika me mekanizmat e saj politikë-bërës e vendim-marrës legjitimë nuk e ndryshojnë të drejtën. Kur midis së drejtës dhe politikës nuk ka integrim ndërmjet tyre, athere procesi i shtetit ligjor ka krisje parimore, që shkaktohen nga ligjet e politizuara që nuk janë ndërtuar mbi parimin e sistemit legjitim kapilar. Në rastin e perjashtimit të Albin Kurtit nga procesi zgjedhor, ka dicka që ligjërisht e ndalon të kandidojë, por politikisht nuk e pengon që të fitojë si parti dhe të zgjidhet kryeministër i Kosovës.

Kapilarizimi i sistemit ligjor
Një nga asyet kryesore kur sistemi ligjor krijon kontradikta me sistemet e tjera në një vënd demokratik shkaktohet pikërisht për shkak të politizimit të ligjeve dhe të proceseve ligj-bërëse. Demokracitë në tranzicion këtë ‘sëmundje’ e kanë karakteristikë dalluese. Politika, në jo pa raste, në demokracitë në tranzicion, duke u abuzuar nga mazhoranca të caktuara të përkohëshme, ndërmerren iniciativa ligj-bërëse dritë-shkurtëra, të nxituara dhe kontradiktore, zbatimi i të cilave shkel parime të tjera demokratike, shpesh të një niveli e shkalle më të lartë, më të gjërë dhe më afatgjate. Në këto raste përgjegjësitë nuk mund të kërkohen te agjensitë e zbatimit të ligjit, por tek vetë substanca ligjore dhe procedura e miratimit te saj. Kjo ka ndodhur në Kosovë, në rastin e vendimit për perjashtimin e Kurtit nga e drejta për t’u zgjedhur.
Në Kosovë, sikundër edhe ne vënde të tjera në tranzicion në Ballkanin Perëndimor ka mjaft ligje të tilla, që qëndrojnë jashtë sistemit kapilar ligjor e parimor dhe që kanë nevojë të ‘pastrohen’ sa më parë.
Ky kontradiksion është krijuar nga fakti se politika vepron për arsye pushtetore konjukturale dhe jo për arsye të shtetit të së drejtës. Një veprim i tillë, që quhet politizim i ligjeve, kompromenton rëndë bazat e demokracisë, të cilat mbështeten te parimësia e ligjit dhe ligj-bërjes dhe jo te konjuktura politike mbi ligjin dhe ligj-bërjen.
Fakti që në Kosovë, por edhe në vëndet të tjera të Ballkanit Perëndimorë, duke përfshirë edhe Shqipërinë, bëhen ligje, pastaj amendohen, ri-amendohen dhe amendohen sërish e kështu pafundësisht, ka të bëjë me operacionet politike konjukturale mbi ligjet dhe procedurat ligj-bërëse. Kur procesi i vënies së konjukturës politike në substancën ligjore dhe procedurën ligj-bërëse merr fund atherë tranzicioni demokratik më së shumti ka përfunduar. Në të kundërtën, kur konjuktura politike ndikon në përmbajtjen dhe procedurën ligj-bërëse athere tranzicioni vazhdon. Kapilarizimi i sistemit ligjor mbi parimësi afatgjate e të qëndrueshme ndërton substancën juridike që krijon pavarësinë, profesionalitetin dhe integritetin e gjyqësorit nga pushtetet e tjera.

Ligji dhe legjitimiteti
Në parim rasti i Albin Kurtit është përplasje midis ligjit dhe legjitimitetit. Në këtë rast ligji shkëputet nga legjitimiteti, ose e humb legjitimitetin. Albinin ligji e ndalon. Albinin populli e voton. Në rastin e Albin Kurtit ligji i heq të drejtën pët t’u zgjedhur. Populli i jep të drejtën për t’u zgjedhur. Në këto rrethana ku qëndron kontradikta? Në kët rast kush është legjitim? Është ligji kuvendar apo legjitimiteti mbarë qytetarë? Ligji është gatuar në kuvend. Vota qytetare është gatim referendar. Referendumi është demokracia e drejtpërdrejtë. Kuvendi është demokracia përfaqësuese. Demokracia përfaqësuese është më e limituar. Demokracia e drejtpërdrejtë referendare është më e gjëra. Krahasimisht me kuvendin, demokracia e drejtpërdrejtë referendare është më legjitimja. Prandaj aktet e mëdha, si kushtetutat, zgjedhjet e përgjithshme dhe ligjet që afektojnë gjërësisht interesat mbarë qytetare dhe që prekin bazat e sistemeve politike miratohen me referendum. Kështu ato fitojnë legjitimitetin dhe njëkohësisht qëndrueshmërinë dhe zbatueshmërinë.

Përputhja e ligjit kuvendar me legjitimitetin mbarë popullorë është pasqyrimi i vërtetë i cilësisë parimore të ligjit. Nëse midis ligjit dhe lëgjitimitetit referendar ka mospërputhje apo kundërshti ai që duhet ndryshuar është ligji kuvendar. Prandaj proceset politikë-bërëse dhe ligj-bërëse, që të jenë sa më legjitime në substancën ligjore dhe në procedurën e miratimit të tyre, bazohen jo vetem te mazhorancat politike, por edhe te gjithëpërfshirja e opozitës, shoqërisë civile, grupeve të interesit, qarqeve akademike, medias e grupeve të tjera me ndikim shoqëror. Suksesi i ligjit qëndron te legjitimiteti. Ndryshe ligji rrezikon të krijojë përplasje, të shkelet e të mos zbatohet, pra herët ose vonë të amendohet ose të abrogohet tërësisht.

Bazuar në këtë analizë principale, Albin Kurti, duke zbatuar ligjin politik konjuktural të Kosovës nuk do kandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës. Por, qartësisht, bazuar në legjitimitetin demokratik të votës së qytetarëve të Kosovës, VV do të votohet, sipas gjithë gjasave më shumë se cdo parti tjetër, dhe kryesisht për lidershipit e Kurtit. Për konseguencë legjitimiteti do jetë VV që do marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re e për rrjedhojë të mandatarit të saj, z. Albin Kurti për ta krijuar dhe kryesuar atë. Kjo është analiza logjike dhe racionale e proceseve legjitime. Nëse do ecet pa logjike dhe në mënyrë irracionale, pra jo legjitime, athere gjithcka mund të ndodhë, kështu konjuktura politike ligjore mund të ngrihet mbi parimet demokratike legjitime. Athere në pyetje do jenë paqja, stabiliteti dhe demokracia në Kosovë. Le të presim kush do fitojë, ligji apo legjitimiteti…







Shtuar më 01/02/2021, ora 16:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori