Albin Kurti: Ja nga e morën gazin lotsjellës që e hodhën në Kuvend
Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, deputeti Albin Kurti, i ftuar në një intervistë për “Politico”, ka treguar detaje që kanë ndodhur në skenën tonë politike muajve të fundit.

Duke thënë se si protestat paqësore nuk çuan askund, Kurti thotë se pikërisht gjatë këtyre protestave, kur Policia hidhte gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, disa prej bombolave nuk shpërthenin, dhe ai, së bashku me protestuesit tjerë, i mblidhnin dhe i fusnin në Kuvend.

“Kështu ka qenë: derisa merrnim pjesë në tubime paqësore, vumë re se disa nga qindra bombolat e gazit lotsjellës që policia i gjuante në drejtim tonin, nuk shpërthenin. Më pas ne i merrnim ato, i fusnim në gjepa dhe hynim në parlament ku unë, si anëtar i parlamentit, i ndeza përmes një shkrepëseje”, është shprehur Kurti, transmeton Koha.net.

“Gazi lotsjellës i hedhur në parlament zhdukej për 30 minuta. Por nëse një entitet serb do të instalohej brenda shtetit tonë, nuk do të zhdukej për 30 vjet”, ka thënë deputeti Kurti.

Kurti gjithashtu ka krahasuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me Vuçiçin e Serbisë, me Putinin e Rusisë dhe me Orbanin e Hungarisë.

“Në Evropën Lindore aktualisht, diktaturat kanë përfunduar, por është rikthyer autokracia. Modelet si Viktor Orban i Hungarisë, Aleksander Vuçiçi i Serbisë, Thaçi dhe Putini, fatkeqësisht janë në modë”, ka thënë më tej Kurti.

I pyetur se pse Qeveria e Kosovës pajtohet me marrëveshjen për normalizim të raporteve me Serbinë, Kurti ka dhënë dy arsye.

“Arsyeja e parë është korrupsioni: janë shumë të korruptuar për të qenë politikanë të lirë dhe të ndershëm në raport me kombin e tyre. Janë të nënshtruar dhe të dëgjueshëm ndaj komunitetit ndërkombëtar, i cili toleron korrupsionin e tyre, sepse me gjasë të dyja palët u shpërbejnë disa qëllimeve më të mëdha, siç është stabiliteti. Është një martesë e lumtur e interesave. Arsyeja e dytë është kompleksi i inferioritetit që politikanët e një kombi të shtypur duket se e kanë. Fakti se ju jeni çliruar dhe e keni shpallur pavarësinë, nuk nënkupton se ju jeni në të vërtetë i lirë. Politikanët tanë kanë kompleksin e inferioritetit si ndaj Brukselit, ashtu edhe ndaj Beogradit”, ka shtuar Kurti.

Po ashtu ai foli edhe për misionet ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-un e EULEX-in, por edhe për perspektivën evropiane të Kosovës. Ai tha se nuk dëshiron që BE të largohet nga Kosova, dhe që kjo e fundit të anëtarësohet në BE.

“Nuk po kërkoj që BE të heq dorë nga ne. Dëshiroj që Kosova të anëtarësohet në BE. Natyrisht se dëshiroj që edhe BE të ndryshojë. Ajo çka dëshiroj është një paraqitje tjetër të BE-së këtu. Jo me policë, me prokurorë e gjykatës, të cilët nuk na japin llogari neve dhe kanë imunitet diplomatik nga ndjekjet kriminale, por me ekspertë në agrikulturë e ekonomi”, u shpreh ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Në fund, deputeti i Vetëvendosjes foli edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

“Do të dëshironim që Kosova ta ketë të drejtën të bashkohet me Shqipërinë. Momentalisht, kushtetuta jonë nuk lejon bashkimin me një vend tjetër. Do të donim që këtë ta bënim në mënyrë paqësore dhe demokratike, e kundërta e ndarjes sonë, e cila është bërë dhunshëm nga fuqi të mëdha të dhunshme”, deklaroi deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti./Albeu.com/
Shtuar më 03/05/2016, ora 12:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori