Akuzat e Martit, EULEX intensifikon hetimet
Task Forca e EULEX-it ka intensifikuar procesin e hetimeve rreth akuzave nga raporti i senatorit Dick Marti. Zëdhënësi i këtij ekipi, Juri Lass ka theksuar për mediat kosovare janë intensifikuar kontaktet me persona të cilët kanë informacione lidhur me çështjen.

Ekipi që është i ngarkuar për hetimet rreth akuzave që dalin nga raporti në Këshillin e Evropës të senatorit Dik Marti, për pretendohet e tij lidhur me trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, nuk komenton shumë për ecurinë e hetimeve.

"Task Forca për Hetime Speciale, momentalisht, është në fazë të sigurimit dhe analizës së informatave prej një numri të caktuar institucioneve dhe në të njëjtën kohë është duke vazhduar me hetimet e saj. Kontaktet me persona, të cilat kanë informacione për çështjen janë intensifikuar", ka thënë Lass.

Zyrtari nga Brukseli, Juri Lass nuk ka dhënë detaje të tjera, por ka thënë se ky ekip ka marrë mbështetjen e duhur të niveleve më të larta politike nga Prishtina, Tirana dhe Beogradi.

Ndërkohë, burime brenda misionit të BE-së në Kosovë, EULEX, thanë se vetë shefja e diplomacisë së BE-së Kethrin Eshton është interesuar ditët e fundit për ecurinë e këtij procesi dhe kohën që mund t`i duhet Task Forcës për finalizimin e tyre por zëdhënësi Lass nuk ka pranuar të komentojë rreth kësaj.

Gjatë kësaj jave, Beogradi zyrtar ka dalur me informacione se ekziston një dëshmitar, i cili ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në procesin e trafikut me organe.

Mirëpo, drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiç, e quajti rrëfimin jobindës, duke thënë se ai u ngjan filmave horror.

John Clint Williamson është emëruar vitin e kaluar në krye të ekipit special të EULEX-it për të hetuar akuzat e ish senatorit Dik Marti për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë. Ky ekip u formua në shtator 2011 dhe përbëhet vetëm nga personeli ndërkombëtar.

Ekipi punon nën autoritetin EULEX-it, por në mënyrë që të përforcojë edhe më tej pavarësinë në veprim dhe konfidencialitetin e procesit, ky ekip pjesërisht është vendosur në Bruksel. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2012, ora 12:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori