E FUNDIT/ Pas Durrësit, Gjykata e Tiranës nuk njeh zgjedhjet në Vorë (FOTO LAJM)
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë bllokuar në hyrje të Besianës
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë bllokuar në hyrje të Besianës. Ata momentalisht nuk po lejohen të kalojnë në drejtim të pikës kufitare në Merdare, njofton Telegrafi.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka folur para aktivistëve të mbledhur në Besianë, që të jenë të qetë. Ai u shpreh i vendosur për të realizuar qëllimin që ia ka vënë Lëvizja vetes.

Banorët e fshatrave të Merdares , kanë dalë skaj rrugëve, për t’iu bashkuar Lëvizjes. Deri tash, sipas reporterit të Telegrafit, nuk ka pasur aksidente e as eksese.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për shtyp, thotë se autobusët e organizuar janë nisur nga çdo qytet i Kosovës, nga Tirana, nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërcova dhe Struga. Gjithashtu, shumë qytetarë janë nisur me makinat e veta.

“Aktivistët janë ende duke kaluar kontrollet e mëdha të Policisë së Kosovës në magjistralen Prishtinë-Besianë, pika kufitare e Merdares”.

Ndërkohë, duke filluar nga ora 11.30, Policia e Kosovës ka filluar të ndalojë qytetarët, thuhet në komunikatë.

“Në magjistralen Prishtinë-Besianë, drejtë pikës së Merdares, aktivistët tanë janë ndaluar për legjitimim nga punktet e shumta të Policisë së Kosovës. Qëllimi i ndaljeve është që ta vështirësoj udhëtimin dhe t’i vonojë aktivistët në protestën e paraparë nga ora 13”.

Mbështetësit e Lëvizjes nga Shqipëria, janë ndaluar në kufirin e Morinës nga Dogana e Kosovës, me pretekst se është prishur sistemi.

“Mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke ardhur nga Tetova janë ndaluar në kufi, tek pika e Glloboqicës, nga autoritet e Maqedonisë. Presim që autoritetet kufitare t’i lëshojnë qytetarët duke respektuar të drejtën e tyre legjitime për të marrë pjesë në protestën paqësore ‘Serbia nuk kalon!’”.

Lëvizja Vetëvendosje e dënon cenimin e të drejtës së lirisë për të protestuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“U bëjmë thirrje Policisë që të mbrojë vendimin e Kuvendit të Kosovës për reciprocitet”.
Shtuar më 14/01/2012, ora 13:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori