Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve në Komunën e Prizrenit
Pëlqej
Departamenti për Krime të Renda në Prokurorinë Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj B.H. dhe E.B., për veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nën paragrafin 2.2., të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për veprën penale: Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme, nga neni 332, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës i pandehuri B.H. nga data 10.09.2016 e deri më tani në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prizrenit, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke mos ndërmarrë masat e duhura në pajtim me autorizimet e tij ligjore për largimin e aneks-konstruktit metalik të vendosur si vazhdimësi të lokalit, pronar i së cilës është vetë i akuzuari, e cila gjendet në zonën e mbrojtur të qytetit. Me këtë i pandehuri ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme pronën e paluajtshme të Komunës së PrizrenitZonën e Mbrojtur të Qytetit.

Andaj me këto veprime i pandehuri B.H. akuzohet se ka kryer veprat penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme.

Ndërkaq, i akuzuari E.B. në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, i caktuar me përgjegjësi në zonën e mbrojtur, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në këtë rast për të akuzuarin B.H., të cilin e ka epror, duke mos ndërmarrë masat e duhura të inspektimit në pajtim me autorizimet e tij, për inicimin e procedurës për largimin e aneks-konstruktit metalik, të vendosur si vazhdimësi e lokalit, e cila gjendet ne zonën e mbrojtur të qytetit.

Me këtë veprim i pandehuri E.B. ka kryer veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.


Shtuar më 04/09/2017, ora 15:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori