U aksidentua me makinë në Poliçan, 15-vjeçarja në luftë me vdekjen, babai: Më ndihmoni ta dërgoj për kurim jashtë

Një aksident i rëndë, i ndodhur më 19 prill në Poliçan i mori jetën një 15-vjeçari. Tre të mitur të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

Mes të plagosurve është edhe Kristina, 15 vjeç, e cila prej ditës së aksidentit ndidhet në gjendje kritike në spitalin e Traumës.

Pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale në kokë e mitura nuk ka reaguar ende.

I rënduar emocionalisht babai i së miturës  bën apel për ndihmë në mënyrë që të mund ta dërgojë të bijën e vetme për kurim jashtë vendit.

“Vajza ime kishte dalë me shoqërinë, pasdite nga ora 5 dhe nga ora 7 më thanë hajde xhaxha se ka bërë aksident çupa. Shkova në Berat, por aty e kishin nisur për Tiranë. Në gjendje të rëndë vajza. Donte ndihmë shpejt. Po mos të kishte ardhur për gjysmë ore, do kishte ndërruar jetë. Vajza ka 6 ditë sot. Në kokë, në krahë të majtë dhe tek syri. Është bërë operacion dhe është në reanimacion. Nuk ka reaguar fare. Shpresa kemi. Kërkoj ndihmë nga qytetarët. Kërkoj ndihmë dhe për ta çuar jashtë shtetit”, tha babai i Kristinës per report tv. 

Abaz Bregasi, thotë se aksidentimi i vajzës i ka prerë edhe motivin e vetëm për të jetuar. Djali i vdiq 7 vjet më parë nga një tumor, dhe gruaja e cila nuk mundi ta përballonte humbjen e djalit, ndërroi jetë pak kohë pas tij.

 “Vetëm këtë vajzë kam. Më ka ndërruar jetë djali dhe gruaja. Djalin e kisha në shkollë. Kishte tumor në kokë. E solla tek Nënë Tereza në Tiranë, por ndërroi jetë. Gruaja ka ndërruar jetë para tre vitesh. Jetoj vetëm për këtë vajzë. Aksidenti ka ndodh në Poliçan. Të më ndihmojnë. Vajza e vetme e imja. Është në shkollë, në vit të parë në gjimnaz. Kishte ëndrra. Unë zëre se pa punë jam. Kur të dalë ndonjë punë. Kërkoj ndihmë”, tha babai i Kristinës. 

Abazi jeton në gjendje të rënduar ekonomike dhe shpresat e vetme i ka tek bujaria e njerëzve.

*Për të ndihmuar babain e 15-vjeçares Abaz Bregasi mund ta kontaktoni në numrin 355 68 655 7327!


Shtuar 25.04.2023 17:57