Dhunimi i 22-vjeçares, përfaqësues të ambasadës keniane në Romë “zbarkojnë” në Tiranë, me kë po takohen

Dy përfaqësues të ambasadës keniane në Romë kanë zhvilluar një takim me shefin e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, Petrit Halo, në lidhje me dhunimin e vajzës keniane Joy në kryeqytet, disa muaj më parë.

Albeu.com mëson se ata kërkojnë informacion në lidhje me hetimet që po kryhen lidhur me ngjarjen si dhe nëse autoritetet shqiptare kanë identifikuar autorin/autorët e ngjarjes së rëndë.

Dosja fillimisht u regjistrua më prokurori për plagosje të rëndë me dashje, por më pas iu rikthye sërish policisë për t’u plotësuar.

Keniania 22-vjeçare kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino.

Ajo ndodhet që prej 14 gushtit të këtij viti e shtruar në spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë.

Mjekët thanë se kishte tre brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru.

Nëna e saj Ruth.A, një muaj pas ngjarjes u njoftua nga kompania ku ishte e punësuar e bija dhe që nga momenti që mbërriti nga Kenia spitali është kthyer në shtëpinë e saj.

E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia./Albeu.com.