Agjencia Kosovare e
Akreditimit nuk e ka asnjë
monitorues për të vlerësuar gjatë vitit akademik cilësinë e punës të bartësve të
arsimit të lartë publik dhe atyre privat. Zyrtarë të Agjencisë bëjnë të ditur se së shpejti do të shpallet konkursi për
monitorues, pasi deri tani nuk kanë mundur të kontrollojë në mënyrë të vazhdueshme këto institucione.
Agjencia Kosovare e
Akreditimit, e cila është themeluar në vitin 2008 nuk ka
monitorues, të cilët do të monitoronin cilësinë përgjatë një viti në universitetet publike dhe kolegjet private. Vlerësimi i tyre bëhet vetëm atëherë kur duhet të akreditohen dhe ri-akreditohen. Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë e
Akreditimit, Ferdije Zhushi- Etemi, thotë për Radio Kosovën, se mungesa e monitoruesve është një dëm i madh, pasi sipas ligjit një nga detyrat e agjencisë është edhe monitorimi i vazhdueshëm i institucioneve të akredituara.
“Është një proces të cilin deri sot si rezultat i mungesës së kuadrit nuk kemi mundur ta realizojmë. Por fatmirësisht na është lejuar ngritja e kapaciteteve humane në
agjenci. Ne kur e kemi përcjell gjendjen ka pasur raste që ndonjë institucion ka ndryshuar dhe ne nuk kemi qenë të informuar, prandaj nevojitet që patjetër të kemi
monitorues”.
Zhushi-Etemi bëri të ditur se kanë kërkuar inspektorë nga Ministria e
Arsimit, por jo gjithmonë kanë hasur në gatishmëri për bashkëpunim të mirëfilltë në terren.
“Ne i kemi letrat kur iu kemi bërë kërkesa, kur për shembull nuk na kanë dorëzuar asnjë raport, asnjë informatë nëse kanë shkuar për të inspektuar institucionin apo jo”.
Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së
Arsimit nuk kanë dhënë përgjigje për këtë çështje. Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë e
Akreditimit, Zhushi- Etemi, bëri të ditur se së shpejti do të shpallet konkursi për dy
monitorues në
Agjenci, duke sqaruar se cilat do të jenë detyrat e tyre.
“Monitoruesit duhet të jenë kuadër së paku me nivel mastar, të cilët duhet t’i nënshtrohen një procedure të trajnimit në
Agjenci, t’i mësojnë mirë procedurat e
akreditimit dhe standardet tona, në mënyrë që të jenë të aftë dhe të shkojnë të monitorojnë institucionet se sa iu përmbahen kritereve, për të cilat janë akredituar”.
Ligji për arsimin e lartë, e sqaron qartë që Agjencia e
Akreditimit e Kosovës, bënë inspektimin e bartësve të
arsimit të lartë dhe këshillimin me Ministrinë lidhur me dhënien, ndryshimin ose anulimin e licencave. Gjithashtu, bënë të ditur se kjo
Agjenci ka kompetenca për kryerjen e kontrolleve periodike mbi cilësinë e bartësve të licencuar të
arsimit të lartë dhe marrjen e vendimit për akreditimin apo ri-akreditimin e tyre, duke përfshirë të drejtën për dhënien e titujve dhe diplomave. /albeu.com/
Shtuar më 01/04/2013,
ora 10:36