Ahmeti: Ne jemi koalicioni fitues, Haradinaj udhëheqës i listës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Sodcialdemokrate sot kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor

Në një konferencë të përbashkët të kreut të AAK’së Ramush Haradinajt, dhe atij të PSD’së, Shpend Ahmetit, është bërë e ditur se Haradinaj do të jetë bartës i listës së këtij koalicioni.

Ahmeti u shpreh se kjo marrëveshje u nënshkrua pas disa ditësh negociata.

“Qe dy-tri ditë pas negociatave me subjektet tona kemi arritur që në zgjedhje PSD dhe AAK do të garojnë bashkë. Ky është një bashkëpunim edhe politik edhe zgjedhor duke i marrë parasysh disa vija të bashkëpunimit që i kemi pasë viteve të kaluara e që janë zgjeru në fushat tjera, ne do të hyjmë me një program të përbashkët garues”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se ky koalicion po formohet për t’i fituar zgjedhjet dhe se të dy partitë pothuajse në mënyrë unanime janë pajtuar për të lidhur koalicionin.

Ne po i bashkojmë forcat me AAK’në që ti fitojmë zgjedhjet me një program të përbashkët qeverisës. Kemi vendosë disa kërkesa për mospajtimet ose qëndrimet e ndryshme. Në të dyja këshillet drejtuese të partive tona s’ka pasë pothuajse fare zëra kundër“, tha Ahmeti

Ahmeti po ashtu theksoi se këto dy parti janë dakorduar që bartës i listës në zgjedhje të jetë i pari i AAK’së, Ramush Haradinaj.

“Jemi dakorduar që ne të garojmë me një listë dhe bartës i kësaj liste do të jetë kandidati i Aleancës, z.Haradinaj. PSD me AAK do të kontaktojnë me subjektet tjera që i ka përmend edhe AAK’ja edhe PSD’ja, në mënyrë që ta zgjerojmë koalicionin fitues. Nevojitet një koalicion serioz, ne sot e kemi ndërtu boshtin e këtij koalicioni fitues. Me 29 shtator ose 6 tetor, ne jemi të gatshëm për të sfiduar”, tha Ahmeti.
Shtuar më 19/08/2019, ora 15:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori