Ahmeti-Gërxhaliu, pika kryesore rregulli dhe rendi në urbanizëm
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është takuar me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ku kanë biseduar lidhur me rrethanat e krijuara midis Komunës së Prishtinës dhe Shoqatës së Ndërtimtarëve.

Gjatë këtij takimi Ahmeti theksoi se gjatë vitit të kaluar me të gjithë drejtorët është punuar në planin qeverisës ndërsa njëra prej pikave kryesore ka qenë rregulli dhe rendi në urbanizëm. Ai pohoi se është vendosur rregull dhe rend duke i ndaluar të gjitha ndërtimet pa leje, duke evidentuar 46 mijë ndërtime pa leje në Komunën e Prishtinës.

"Me Shoqatën e Ndërtimtarëve kemi pasur disa takime dhe janë plotësuar disa kërkesa të tyre, duke përfshirë edhe kërkesën kryesore që t’i pranojnë garancionet e kompanive të sigurimit, gjë që e kemi aprovuar brenda dy ditëve. Ka qenë kërkesa për pagesën e borxheve me këste, që e kemi aprovuar. Njëkohësisht, jemi dakorduar që të punojmë në konkretizimin e marrëveshjes për të plotësuar edhe kërkesat e tjera të tyre që kishin të bënin me heqjen e disa kushteve për leje. Lidhur me këtë, ne kemi krijuar një grup ku shoqata e ndërtimtarëve e kanë një përfaqësues të tyre që e ka zyrën në Drejtorinë e Urbanizmit. Bashkë me USAID-in jemi dakorduar që një grup punues t’i shqyrtojë edhe kërkesat e tjera”, tha Ahmeti.

Ndërsa, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se OEK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe përkrahjen e interesave të komunitetit afarist.

"Pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga Shoqata e ndërtimtarisë lidhur me procedurat e dhënies së lejeve për ndërtim, duhet shteruar të gjitha metodat institucionale në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë dhe të prodhohet një bashkëpunim i frytshëm që do të jetë në dobi të të dy palëve. Vetëm përmes një dialogu konstruktiv mund të avancohet partneriteti i domosdoshëm dhe të tejkalohen problemet që janë grumbulluar gjatë shumë viteve.

Tashmë në Komunën e Prishtinës është një realitet i ri, mirëpo jam i bindur se me një përkushtim dhe vullnet të mirë do të gjinden mundësitë që të gjejnë mirëkuptim disa prej kërkesave të ndërtimtarëve, veçanërisht në aspektin e përshpejtimit të procedurave të dhënies së lejeve ndërtimore. Pas këtij takimi mbetem optimist se Komuna e Prishtinës do të angazhohet edhe më shumë në krijimin e lehtësirave si dhe do të thjeshtojë procedurat burokratike brenda mundësive të saj ligjore, ndonëse një përpjekje e tillë në vazhdimësi është evidente”, tha Gërxhaliu.

Pjesë e këtij takimi ishin dhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu si dhe përfaqësues të OEK. /albeu.com/
Shtuar më 28/04/2015, ora 09:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori