Ahmeti del kundër rezolutës të qeverisë
PSD, partia që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti ka dalë kundër propozimit për Draft-Rezultutën e cila u propozua nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kështu është bërë e ditur nga PSD, përmes një komunikate për media. Sipas këtij subjekti politik, rezoluta e djeshme e Qeverisë nuk dallon fare nga qëndrimi i mëhershëm i saj rreth Dialogut. “Kjo është për keqardhje. Rrjedhimisht, nuk e mbështesim”, thuhet në reagimin e PSD’së.

Tutje, nga kjo parti deklarojnë se e kundërshtojnë këtë rezolutë.

“Tash e sa kohë, Partia Socialdemokrate përpiqet të ofrojë rrugëdalje nga paraliza politike karshi procesit të Dialogut. Për këtë arsye e ka deponuar propozim-rezolutën e vet, dy muaj më herët. Rezoluta e PSD është më funksionale, më gjithëpërfshirëse dhe përqëndrohet në procesin demokratik të ndërtimit të Platformës Negociatore, të përzgjedhjes së Ekipit Negociator dhe të Mbikëqyrjes Parlamentare të mbarë procesit”, thuhet në reagim.

Veseli e ka shtruar nevojën për arritjen e një konsensusi në mes të partive politike parlamentare për dialogun e Kosovës me Serbinë. Në mbledhjen e thirrur nga Veseli, të pranishëm ishin Kryeministri Ramush Haradinaj, Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi.

Rezoluta e propozuar nga Veseli, e cila ka marrë bekimin edhe nga anëtarët e tjerë të Qeverisë do të diskutohet në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës në muajin dhjetor.


Shtuar më 07/10/2018, ora 13:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori