AGK shkarkon drejtorin, edhe këtu dolën dyshime për falsifikim dhe mashtrim
Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ka shkarkuar nga detyra Drejtorin Ekzekutiv të AGK-së, Arben Salihu nën dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zytare, konflikt interesi, falsifikim dokumentesh, raportim të rrejshëm para Bordit dhe lidhje të kontratave të dëmshme pa dijeninë paraprake të Bordit, duke bërë shkelje të statutit të organizatës, kontratës së punës dhe legjislacionit në fuqi.

“Bazuar në dyshimet fillestare Z. Salihu prej dates 13 mars 2018 ka qenë i suspenduar nga detyra me qëllim që t’i hapej rrugë një auditimi gjeneral dhe të pavarur të organizatës për periudhën dy vjecare. Pas pranimit të Raportit të Auditimit ku janë konstatuar shumë shkelje, Bordi i AGK-së, ka marr vendim të prerë që z.Salihu me automatizëm t’ia shkëpus kontratën.

AGK poashtu ka miratuar dorëheqjen e financieres Florina Desku, e cila është ofruar pas prezantimit të draft dokumentit të auditimit të pavarur, ku evidentohen shkelje dhe lëshime në fushën e menaxhimit të financave si dhe pasi është zënë duke raportuar rrejshëm lidhur me raportet financiare të dorëzuara tek donatorët”, thuhet në njoftimin e tyre.

Bordi i AGK-së është thellë i zhgënjyer me situatën e krijuar dhe shpreh vendosmëri për bashkëpunim me organet e drejtësisë me qëllim të hetimit të plotë të të gjitha dyshimeve. Njëkohësisht Bordi siguron komunitetin e gazetarëve se situata e krijuar nuk do të ndikojë në punën dhe përformancën e organizatës.

Bashkëpunimi me organet e drejtëisë dhe luftimi i dukurive negative brenda organizatës është e vetmja rrugë , me qëllim të ruajtjes së reputacionit dhe imazhit të oranizatës të ndërtuar me shumë mund prej vitesh.

Bordi i AGK-së, të gjitha dosjet dhe materialin në dispozicion do t’i procedojë tek organet e drejtësisë”, theksohet në këtë njoftim.


Shtuar më 01/06/2018, ora 14:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori