Agim Veliu kandidon në Podujevë
Fundjavën e kaluar, Dega e LDK-së e Podujevës, e përmbylli diskutimin me strukturat e saj për Orientimet politike të Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, në kontekstin e procesit aktual, e që kanë të bëjnë me përgatitjet e mira e në kohë për zgjedhjet lokale të këtij viti dhe, në përputhje me dinamikën e planifikuar të aktiviteteve, propozimeve dhe vendimeve të këtij niveli të përgjegjësisë.

Në vlerësimin real e në vazhdimësi të angazhimeve e sukseseve, të kredibilitetit dhe integritetit të provuar por, edhe të sigurisë e të besimit të shumicës absolute të anëtarësisë e të strukturave të degës, me shumicë votash (vetëm me dy vota kundër), Kryesia e Degës i propozoi Kryesisë së LDK-së Agim Veliu, kandidat të sajin për kryetar të Komunës së Podujevës, transmeton qik-u njoftimin.

Njëra nga të përditshmet, të dielën e javës së shkuar, botoi një shkrim me një titull paksa sensacional, e ku shpreheshin opinionet e një anëtari të Kryesisë së Degës. Deri në këtë pikë, legjitime.
Por, thirrja në më shumë se gjykimet dhe vlerësimet e tija dhe konkludimin se, në Degën e LDK-së në Podujevë paskësh ngjarë përçarja, kjo jo, sepse nuk shkon, sepse nuk ka diçka kësisoj.

Nxitur nga kjo çfarë pretendon anëtari i Kryesisë së Degës, nga sa del artikullit në këtë të përditshme, Kryesitë e shumicës së Nëndegëve dhe Kryesive të Forumit të Gruas dhe atij të Rinisë së Degës, kanë mbajtur qëndrim në mbështetje të kandidaturës së Kryesisë së Degës, vlerësimit e të qenit i suksesshëm në udhëheqje të LDK-së dhe në qeverisje, lokale e nacionale, të kryetarit Veliu, ndaj, edhe meritor për një mandat të ri.

“Në përmbyllje, po e përsërisim, LDK është dhe mbetet e para në vizionin, formësimin kombëtar e demokratik të synimeve për shtet; liri, pavarësi dhe demokraci ,brenda vetes e në raport me të tjerët, për liritë individuale dhe kolektive. Me një fjalë, lidere në demokraci dhe për ndryshime”, thuhet në deklaratën e Degës së LDK-së në Podujevë.

Me vlerat e përcaktimin për liritë, për shprehjen e lirë e për tolerancë,për debatin e në kërkim të risimeve dhe të kohezionit, LDK ka gjetjet dhe zgjidhjet e saja të menduara mirë.

“Sa u takon atyre që bëjnë skuthin dhe me ëndjen meskine , thellë diku , i duan skizmën LDK-së, u themi se nuk do ta përjetoni këtë, a, në Degën e Podujevës, jo se jo”, përfundon deklarata. /albeu.com/
Shtuar më 31/05/2013, ora 12:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori