Aeroporti i Prishtinës më i shtrenjtë se aeroporti i Frankfurtit
Një kafe në Aeroportin e Prishtinës kushton 2 euro, ndërsa një hamburger 6 euro. Këto çmime tejkalojnë edhe çmimet në aeroportin e Vjenës, Frankfurtit e Parisit

Kompanitë e biznesit që operojnë brenda aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë, i kanë ngritur çmimet në mënyrë astronomike. Një kafe në aeroport kushton 2 euro, ndërsa një hamburger 6 euro. Këto çmime tejkalojnë edhe çmimet në aeroportin e Vjenës, Frankfurtit e Parisit.

Çmimet në restorantet e Aeroportit të Prishtinës janë ngritur dukshëm, pas koncesionimit për 20 vitet e ardhshme të këtij të fundit nga kompania turke “Limak”.

“Jo çdo herë çmimet kanë qenë kaq të larta. Por fakti se këto kompani që i kanë nën menaxhim restorantet do të largohen brenda një muaji, të cilat do të zëvendësohen me kompani tjera, po e shfrytëzojnë kohën duke i ngritë çmimet”, citon “Zëri” një burim brenda Aeroporti.

Këto çmime astronomike, bien në kundërshtim me kushtet dhe standardin që e ka Aeroporti i Prishtinës. Prandaj për këtë kanë reaguar përfaqësuesit e Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, organizatë kjo për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë.

Selatin Kaçaniku, drejtues i “Konsumatorit”, thotë se menaxherët e aeroportit “Adem Jashari”, po mendojnë se janë duke i menaxhuar aeroportet evropiane, ku çdo shërbim është më i shtrenjtë.

Për fat të keq, sipas tij, edhe këtu shihet se si zbatohet Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, përkundër faktit se është taksapagues dhe gjenerues kryesor i buxhetit të Kosovës, nga i cili financohet i gjithë aparati i shtetit.

Në anën tjetër, zyrtar të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, thonë se çmimet e tilla të shërbimeve në aeroport i cakton tregu.

“Çmimet i përcakton tregu, e jo bizneset, çdokush që ndërhyn në përcaktim të çmimeve, bën shkelje, por në rastin e aeroportit nuk kemi marrë asnjë ankesë. Këtë të drejtë për ankesë e ka secili qytetar”, thotë Halit Shabani, anëtar i Bordit të këtij Autoriteti.

Prandaj, sipas tij, derisa nuk kanë marrë një ankesë dhe nuk kemi bërë verifikim të tillë, as nuk mund të konstatohet se është bërë shkelje e pozitës dominuese në treg.

Ndryshe, në çdo aeroport ndërkombëtarë, çmimet janë më të larta se sa në tregun e rëndomtë, ndërsa Aeroporti i Prishtinës ka bërë “sensacion” duke i ngritur çmimet në 300 për qind ose edhe më shumë. Derisa në Prishtinë një hamburger shitet 1.5 euro, në aeroport 6 euro. /albeu.com/
Shtuar më 02/09/2013, ora 15:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori