ADTK: KPM të respektojë ligjin
Asociacioni i televizioneve digjitale të Kosovës, pjesë e të cilit janë përfaqësues të 17 televizioneve digjitale kabllore i kanë dërguar një letër të hapur Komisionit të Pavarur për Media me kërkesën që t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë akterët në tregun medial të Kosovës.

Në letrën e këtij asociacioni të dërguar nga Kryetari i ATDK’së Valon Maloku KPM’së i kërkohet që të respektohet ligji.


Letër e hapur drejtuar Komisionit të Pavarur për Media

RESPEKTOJENI LIGJIN

Ne, transmetuesit e pavarur televizivë të Kosovës, që operojmë brenda ofertave televizive të operatorëve kabllorë të Kosovës, shprehim shqetësimin tonë ndaj trajtimit te pabarabartë dhe të disekuilibruar të Komisionit të Pavarur për Media ndaj akterëve të tregut medial në Kosovë.

Qëndrimet që këto ditë i mori Komisioni i Pavarur për Media ndaj ndërrimit të numrit rendor të një transmetuesi televiziv në listën e një operatori kabllor, ofendon dhe diskriminon të gjithë transmetuesit tjerë në po këtë listë.

Sidomos, protestojmë ndaj argumentimit se po reagohet për një 'televizion nacional'!

Çfarë qenkemi ne të tjerët: a-nacional, jo-nacional, të huaj, të kategorisë së dytë, të zi?! Kush qenkemi ne të tjerët, që KPM ka vlerësuar se nuk e meritojmë reagimin e tyre?

Nëse rirenditja në listë qenka shqetësim për Komisionin e Pavarur për Media, pse KPM nuk u shqetësua fillimisht kur ajo listë ishte vendosur nga operatori dhe i ishte dorëzuar KPM-së? Pse nuk reagoi për ndonjë transmetues tjetër të po kësaj liste, që ishte vendosur në një mënyrë "të dyshimtë" ose "të padrejtë" në ndonjë numër të skajshëm 80, 50, 30... të listës?

Mbi cilat kritere KPM arrin të vlerësojë se kush e meriton e kush s'e meriton një numër brenda një renditjeje kanalesh televizive të një operatori kabllor të Kosovës?

Çka e bën KPM-në të vendosë se për cilin transmetues televiziv duhet të reagojë, e për cilin jo?

A paska Kosova sot transmetues të Kategorisë së Parë, dhe te tjerë te Kategorisë së Dytë?

A i parashohin ligjet pozitive të Kosovës sot këto 'kategorizime' dhe këto 'kualifikime' të transmetuesve televizivë sa Komisioni i Pavarur për Media me një lehtësi të madhe të reagojë për njërin, e të heshtë për një tjetër?

Metoda diskriminuese e licencimit dhe e kualifikimit të akterëve të tregut medial të transmetuesve televizivë, e trashëguar nga koha e UNMIK-ut, kur disa nga transmetuesit e sotëm të Kosovës janë kualifikuar si 'nacionalë', dhe akterët tjerë si 'lokalë', 'rajonalë', 'ofrues të shërbimeve', etj., duke i vënë transmetuesit artificialisht dhe padrejtësisht në raporte subordinuese ('nacionalë' si të rëndësishëm; 'lokalë', si të parëndësishëm), shpresojmë të mos ju prijë në qëndrimet, kualifikimet dhe interpretimet tuaja të sotme publike. Sepse, fundja, këtë s'e lejon as ligji i fundit për KPM.

Ligji Nr. 04/L-44 shprehimisht kapërcen dhe eviton, pas 12 vjetësh, këtë metodë diskriminuese të kualifikimit dhe licencimit të televizioneve, duke shkatërruar më në fund këto raportet subordinuese dhe duke saktësuar se kush quhet 'transmetues' e kush 'ofrues i shërbimeve programore'. Me një qellim të vetëm: që t'i barazojë para ligjit dhe t'u krijojë shanse dhe kushte të barabarta të gjithëve. Dhe ju, si një rregullator i po këtij tregu, nuk mund të keni mision më të shenjtë e me të rëndësishëm sesa ta mbroni dhe ta garantoni këtë barabarësi.

Se dikush ka mbulim 'nacional' me sinjalin e tij, e dikush vetëm 'lokal', kjo nuk i vendos, e as lejojnë ligjet pozitive në Kosovë, që këta transmetues të vihen në pozita subordinuese e diskriminuese me njëri-tjetrin. Përkundrazi, kjo gjë vetëm përcakton se deri ku arrin mbulueshmëria me sinjalin e tyre.

Nëse në kohën e UNMIK-ut Kosova ka pasur vetëm transmetues që kanë ofruar programe përmes frekuencave ajrore, sot në Republikën e Kosovës ka operatorë kabllorë - që po ashtu mbulojnë krejt territorin e Kosovës dhe ofrojnë shumë më shumë përmbajtje televizive - dhe para ligjit janë plotësisht të barabartë për të operuar.

Nëse një transmetues televiziv e mbulon me sinjalin e tij territorin e Kosovës përmes ajrit dhe frekuencave, sot, një operator kabllor e mbulon njëlloj tërë territorin e Kosovës, por tash - me kabllo.

Kjo mbulueshmëri nacionale, që një operator kabllor sot i ka ofruar tregut medial të Kosovës, ka bërë që të gjithë transmetuesit e përfshirë në një listë programore të një operatori kabllor të jenë të kategorizuar dhe kualifikuar si 'nacionalë'. Te gjithë.

Këta transmetues televizivë, që sot një operator kabllor si IPKO dhe Kujtesa ia ofrojnë publikut kosovar, shihen në çdo cep të territorit të Kosovës. Ata janë 'nacionalë' në kuptimin e njëjtë me një transmetues me frekuencë ajrore sa i takon mbulueshmërisë. Kjo i bënë të gjithë këta transmetues - 'nacionalë'.

Andaj, si u bë që ju i lejuat vetes të reagoni për një televizion me argumentin se qenka 'nacional', e për televizionet tjera 'nacionale' të heshtni? Po televizionet tjera 'nacionale' që gjinden me vite atje te numri rendor 80, 50, 30... pse nuk reaguat për numrin e tyre rendor deri më sot? Dhe, a jeni të sigurt se është në mandatin tuaj që të 'mërziteni' për numrat rendor të televizioneve?

Të nderuar anëtarë të rinj të KPM-së, nga të cilët po presim shumë, Kosova sot nuk i ka vetëm tre transmetues të kategorizuar si 'nacionalë'. Por, shumë më shumë. Mbi 30 televizione nacionale. Sepse, janë operatorët kabllorë që po e mbulojnë tërë territorin e Kosovës - që tregut medial i kanë shtuar edhe shumë akterë tjerë që njëlloj mund të kategorizohen si 'nacionalë'.

Se një transmetues e mbulon dhe ofron përmbajtjen e vet përmes ajrit, e tjetri transmetues njëlloj mbulon dhe ofron 'nacionalisht' përmbajtjen e vet përmes kabllos, kjo nuk ju jep të drejtë juve që këta transmetues t'i vendosni ne raporte subordinimi e diskriminimi mbi bazën e atij fakti teknik se si po e transportojnë përmbajtjen e vet: a me ajër a me kabllo! Se 'nacional' na qenka vetëm një transmetues që transporton sinjal me ajër, e transmetuesi që e transporton sinjalin me kabllo nuk na qenka 'nacional'.

As nuk e thotë ligji këtë gjë, e as e determinon.

Para ligjit, edhe para ligjit për KPM, të gjithë janë të barabartë.

Atëherë, si e vlerësuat se për një transmetues u dashka reaguar, e për një tjetër jo? Cili qenka 'nacional', e cili më pak 'nacional'? Si e gjykuat këtë punë?

Duke pritur shumë nga përbërja e re e Komisionit te Pavarur për Media, sidomos në evitimin e parregullsive, të qëndrimeve diskriminuese dhe interpretimeve qëllimkëqija, që nuk kanë munguar në punën e deridjeshme të KPM-së, presim dhe shpresojmë nga ju që do të prireni vetëm nga ligji.

Nga një rregullator si ju, me mision të saktë dhe të determinuar me ligj, presim se nuk do të jeni anues, se do e mbani ekuidistancën nga të gjithë akterët e tregut medial në Kosovë dhe nuk do shkelni misionin tuaj të shenjtë: të rregulloni dhe garantoni kushte të barabarta për të gjithë.
Shtuar më 20/04/2013, ora 18:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori