AAK: Siguria në komunikacion, më e ulëta në dekadë
Në Ditën Ndërkombëtare për Kujtimin e Viktimave në Trafik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një komunikate për media ka vlerësuar se kjo fushë e sigurisë është një ndër sfidat më të paadresuara në Kosovë.

“Numri jashtëzakonisht i madh i aksidenteve në komunikacion, në rend të parë i aksidenteve me fatalitet, dëshmojnë për mungesë të madhe të angazhimit institucional për përmirësimin dhe zhvillimin e sigurisë njerëzore. Siguria në komunikacion, fatkeqësisht, në vitin 2015 është më e ulëta në dekadë” thuhet në komunikatë, transmeton Klan Kosova.

Në këtë komunikatë nga AAK gjithashtu përmendet se qytetarët e Kosovës janë të rrezikuar në mënyrë përditshme në komunikacion, kryesisht si pasojë e mosinteresimit qeveritar për të ndërtuar dhe zbatuar politika për rritjen e nivelit të sigurisë publike.

“Problemet kryesore ndërlidhen me kontrollin fiktiv teknik të automjeteve, abuzimet në lëshimin e patentë-shoferëve, mungesën e sinjalizimeve nëpër rrugë, infrastrukturën jo të plotë rrugore, mangësitë në organizimin e Policisë së Kosovës në aspektin e trafikut, mungesën e dispozitave ligjore për ndëshkim më të lartë të shkelësve të rregullave në komunikacion, si dhe procedurat e ngathëta gjyqësore në këto raste” vazhdon ky njoftim për media.

AAK, po ashtu ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës duhet të përkujdeset në mënyrë specifike për familjet kosovare që kanë humbur anëtarë të tyre në trafik, sikurse edhe për ata që kanë marrë lëndime të pashërueshme nga këto aksidente. /albeu.com/
Shtuar më 15/11/2015, ora 16:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori