AAK: Nuk ruhet miqësia me Malin e Zi duke i falur territore
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të mos e votojnë ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Përmes një letre Grupi Parlamentar i AAK-së, është shprehur se nuk mund të ruhen raportet fqinjësore me një shtet, duke i dhuruar atij toka. Me këtë thirrje, kjo parti ka shfaqur kundërshti lidhur me deklaratat, kryeministrit Isa Mustafa, të bërë një ditë më parë, ku thotë se veprimet e fundit me vendosjen e tabelën kufitare nga deputetët e Vetëvendosje në kufirin me Malin e Zi, dëmtojnë raportet miqësore me këtë shtet.

“Të nderuar kolegë deputetë, ju lutem që t’i rezistoni çfarëdo presioni që mundet t’ju vjen për ratifikimin e Demarkacionit. Populli i Kosovës ju ka dhënë besimin për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Republikës, andaj me të drejtë ju jeni zëri i tyre, prandaj mos e sakatoni Kosovën për të ruajtur një Komision Qeveritar që po e tkurr territorin e vendit. Nuk ruhen raportet me askënd duke e dëmtuar veten".

"Kosova ka dhe do të ketë raporte të mira me fqinjët e saj, por në asnjë variant kjo nuk don të thotë që duhet të jepet territor për fqinjësi të mirë. Ne, nuk po pretendojmë në territoret e humbura para 103 vjetësh, por të ruajmë këtë territor që e kemi. Grupi Parlamentar i AAK-së, ju bënë thirrje që të kundërshtohet në çfarëdo forme ratifikimi i kësaj marrëveshje që e dëmton Kosovën më mbi 8.8 mijë hektarë tokë", thuhet në njoftimin e AAK-së. /albeu.com/
Shtuar më 01/07/2016, ora 14:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori