AAK: Mustafa të shkarkojë Komisionin e Demarkacionit nëse do bashkëpunimin tonë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate për mediat, shprehet se, nëse Kryeministri dëshiron ta zgjidhë çështjen e demarkacionit, fillimisht duhet te shkarkojë Komisionin ekzistues dhe me pas te zhvlerësojë marrëveshjen. Pas kësaj AAK është e gatshme të japë kontributin e vetë.

"Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, sot paska dalë më një propozim të ri, rreth mundësisë së zgjidhjes së çështjes së demarkacionit me Malin e zi.

Megjithëse ne ende nuk i kemi detajet e propozimit të tij, e mirëpresim gatishmërinë e tij për të reflektuar.

Sa i përket propozimit të kryeministrit për demarkacionin me Malin e Zi, ai duhet të na japë informata shtesë.

Nëse kryeministri është i gatshëm që ta zgjidhë këtë çështje, atëherë nuk është e nevojshme të komplikohen gjërat.

Ai duhet ta shkarkojë Komisionin ekzistues, duhet ta zhvlerësojë punën e tij (marrëveshjen) dhe tek më pastaj të krijohet një komision i ri, edhe me ekspertë ndërkombëtarë, edhe me ekspertë vendorë.

Nëse në një situatë të tillë kërkohet që ne të jemi pjesë e atij komisioni, sigurisht se ne do te jemi të gatshëm që ta japim kontributin tonë", thuhet në njoftimin e AAK-së.

Kryeministri, Isa Mustafa sot ka deklaruar se është pjesë e marrëveshjes që vija kufitare me Malin e Zi të verifikohet edhe një herë nga ana e ekspertëve. /albeu.com/
Shtuar më 24/11/2015, ora 15:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori