AAK: Ja dështimet e Qeverisë në fushën e sigurisë
Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë (DMPS) i AAK –së, ka akuzuar Qeverinë Mustafa.

Sipas tyre kjo qeveri është treguar si e paaftë për të krijuar kredibiletet të mirëfilltë karrshi sfidave të politikave të mbrojtjes dhe të sigurisë në të gjithë sektorin e sigurisë në vend, shkruan "RTK".

AAK nëpërmjet një komunikate thotë se Qeveria po ashtu është treguar indiferente edhe në takimin e dy qeverive, nga ku nuk ka as një të vetmen marrëveshje në mes të dy qeverive, përkatësisht (ministrive përkatëse) lidhur me bashkërendimin specifik në fushën e mbrojtjes në mes të dy shteteve.

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë (DMPS) i AAK–së, në vijim ka nxjerrë disa të dhëna, që janë shqetësuese, prej tyre, 12 sish, mbi atë se çka nuk ka bërë Qeveria Mustafa në 100-ditëshin e qeverisjes së në sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë:

1.Qeveria fillimisht pati dështuar në emërimin e ministrave të MFSK dhe MPB, duke mos përzgjedhë kuadrin e duhur profesional dhe plotësimin e vendeve për zv/ministra, në sektorin e sigurisë.

2. Qeveria nuk ka treguar zgjuarsi shtetërore për të përmirësuar imazhin negativ ndaj skandaleve të AKI–së, po ashtu, nuk po tregohet një saktësi të dhënash nga burime inteligjente, lidhur me numrin joserioz të pjesëmarrjes së qytetarëve në luftërat e huaja. Paraqitjet publike nga dy zyrtarë të lartë shtetëror, të z. Thaçi dhe z. Hyseni, kanë kundërthënie numrash midis tyre.

3.Qeveria ka dështuar në krijimin e sigurisë dhe besimit te qytetarët, ku si rezultat i kësaj mossigurie, ikën mbi 100 mijë qytetarë nga Kosova.

4.Qeveria (MFSK) nuk arriti akoma procedimin dhe amandamentimin e ligjit për FAK-un, njëherit nuk arriti t’i realizojë detyrimet kushtetuese, e që duhet të jetë Ushtria e Kosovës.

5.Qeveria akoma nuk ka krijuar një klimë sigurie dhe mirëbesimi për sigurinë e qytetarëve kundër shkallës së nxitjes së terrorizmit dhe përhapjes së tij edhe në vendin tonë.

6.Qeverisë i ka munguar qasja kreative dhe vizioni pragmatik i zgjidhjes së çështjes së problemit të Mitrovicës dhe dëmtimit të pronave dhe pasurisë së shqiptarëve atje.

7.Qeveria (MFSK) nuk i ka përmbushë detyrimet e saj politike karshi partneritetit ndërkombëtar, me asnjë vizitë të nivelit të lartë misioneve të saj, si KFOR-it, selisë së NATO-s, OSBE-së, Zyrës së BE-së etj.

8.Qeveria dështoi në intonimin e Himnit Kombëtar, me rastin e Manifestimit të Epopesë së UÇK-së më 5, 6 dhe 7 Mars, në nderim të heroizmit të familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, me ç’rast iu dha një hije e keqe kësaj qeverie dhe revoltoi familjarët, në veçanti, dhe qytetarët, në përgjithësi.

9.Qeveria dhe z. Mustafa, në 100 ditë nuk i kakushtuar edhe asnjë ditë luftimit të korrupsionit në nivelin e lartë politik, as nga e kaluara dhe as nga e tashmja, por, si duket, ka filluar procesi i rehabilitimit të tyre brenda llojit bashkëqeverisjes.

10.Qeveria (MPB) e pati tepruar lidhur me përdorimin e forcës, nga ku asnjëherë nuk pati një raport mbi përdorimin e tepruar të forces ndaj qytetarëve që protestonin kundër politikave jotransparente të qeverisë mbi “Terpçën” dhe mosshkarkimit të ish-ministrit Jabllanoviq.

11.Qeveria nuk ka treguar aspak përkushtim në paanshmërinë e sigurisë komplekse, në procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, nga ku ka pasur përshkallzim të situatave konfliktuoze të pasigurisë, rreth anëtarëve të Këshillit Prokurorial, lidhur me mosmarrëveshjet rreth kredibilitetit të tyre, ku njëherit qytetarët kanë treguar pasiguri totale edhe ndaj sektorit të drejtësisë.

12.Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë (DMPS) i AAK–së, vlerëson se, përgjithësisht, qeveria në këto 100 ditë, nuk ka treguar përgjegjësi dhe aftësi politike e kadrovike të menaxhimit dhe ekspertizës për t’iu ofruar qytetarëve të vendit klimën e mirëbesimit, sigurisë dhe mbrojtjes, që atyre iu duhet më së shumti në të gjitha nivelet e saj. /albeu.com/
Shtuar më 31/03/2015, ora 11:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori