AAK dhe PDK takohen me Vetëvendosjen
Para disa ditëve disa prej zyrtarëve të koalicionit PAN kanë zhvilluar një takim me shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcën. Në takim është folur për disa prej zhvillimeve të fundit në vend.

Pal Lekaj, Ahmet Isufi e Memli Krasniqi kanë qenë nikoqir të një takimi para Vitit të Ri me shefin e grupit parlamentar të LVV’së, Glauk Konjufca. Takimi është mbajtur në njërin prej lokaleve në Prishtinë.

Kështu ka bërë me dije për Express Ministri i Infrastrukturës nga radhët e AAK’së, Pal Lekaj.

Ai ka thënë se në takim është biseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend e po ashtu edhe në LVV pa specifikuar qartë se për çfarë është biseduar apo edhe a është marr ndonjë vendim.

“Për këto ditë nuk e di nëse ka pas takime. Por para vitit të ri jemi takuar unë, Ahmet Isufi e Glauk Konjufca me Memli Krasniqin”, ka thënë Lekaj.

E ndërkohë është folur edhe për një takim tjetër të zyrtarëve të PAN me ish liderin e VV’së, Albin Kurtin.

Por, atë e ka mohuar vet Kurti pak para se të fillojë mbledhja e kryesisë së LVV-së, ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke mos specifikuar, ka thënë se do të diskutohet për gjërat brenda partisë për vitin 2018.

“Pikat e rendit të ditës janë për situatën politike, njëkohësisht edhe për çështjet organizative dhe përgatitjet e VV-së për vitin 2018”, ka thënë Kurti.

I pyetur nëse është takuar me PAN-in për Gjykatën Speciale, siç raportuan mediet sot, Kurti ka mohuar një gjë të tillë. “Absolutisht jo”, ka thënë shkurt Kurti.

Ndërkaq, mbledhja e sotme e kryesisë së LVV-së erdhi pas dorëheqjes së kryetarit Visar Ymeri nga të gjitha postet drejtuese të partisë, si dhe të Dardan Sejdiut./express/
Shtuar më 04/01/2018, ora 15:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori