AAK dhe Nisma nuk do të marrin pjesë në seancën e 18 majit
Partitë opozitare Nisma për Kosovën dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do të marrin pjesë në seancën e ditës së mërkurë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mospjesmarrjen e tyre e kanë konfirmuar përmes një prononcimi për Telegraf.

Deputetja e partisë “Nisma për Kosovën”, Valdete Bajrami konfirmoi mos pjesëmarrjen e deputetëve nga kjo parti në seancën e radhë në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu edhe deputeti i AAK-së Palë Lekaj, tha se do t’i bojkotojnë seancat e Kuvendit të Kosovës.

“AAK do ta bojkotojë parlamentin që ka humbur legjitimitetin e Kosovës”, tha Lekaj. Ndërsa, zëdhënësi Frashër Krasniqi, nga partia më e madhe opozitare në vend Lëvizja Vetëvendosje tha për Telegrafin se ende nuk dihet asgjë për pjesëmarrje në seance nga kjo parti.

“Ende nuk e dimë, pasi nesër në mbledhjen e grupit parlamentar të LVV-së do të vendoset se a do të marrin pjesë apo jo”, tha ai.

Ndryshe, dy marrëveshjet asociacioni dhe demarkacioni për të cilat opozita është duke kundërshtuar, nuk do të jenë në rend dite në seancën e 18 majit. /albeu.com/
Shtuar më 16/05/2016, ora 15:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori