Joe Biden përmend një fakt nga Lufta I Botërore, tërbohet Turqia

Presidenti amerikan Joe Biden i ka quajtur sërish gjenocid masakrat ndaj armenëve në Perandorinë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, duke e indinjuar kështu Turqinë.

“Ne hedhim poshtë pretendime dhe vendime të tilla që shtrembërojnë faktet historike për motive politike dhe dënojmë ata që këmbëngulin në këto gabime”, tha Ministria e Jashtme turke.

Për të dytin vit radhazi, Biden shfrytëzoi Ditën e Përkujtimit të Armenëve për ta dënuar gjenocidin që ndodhi më shumë se një shekull më parë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa.

“Më 24 prill 1915, autoritetet osmane arrestuan intelektualë armenë dhe drejtues të komunitetit në Kostandinopojë. Kjo shënoi fillimin e gjenocidit armen, një nga krimet masive më të mëdha të shekullit të 20-të”, tha presidenti amerikan.

“Sot ne kujtojmë një milion e gjysmë armenë të cilët u deportuan, masakruan ose marshuan drejt vdekjes së tyre përmes një fushate shfarosjeje dhe ne vajtojmë për humbjen tragjike të kaq shumë jetëve”, tha lideri amerikan në një deklaratë. Në vitin 2019, të dyja dhomat e Kongresit të SHBA miratuan rezoluta që njohin gjenocidin ndaj armenëve.

Turqia, si pasardhëse ligjore e Perandorisë Osmane, njeh vrasjen e 300 deri në 500 mijë njerëzve, por kundërshton klasifikimin e gjenocidit, shkruan dpa. Turqia beson se armenët dhe turqit u vranë në luftën civile që ndodhi kur armenët u ngritën kundër autoriteteve osmane, në anën e trupave ruse që sulmuan Perandorinë. /GazetaExpress/