A janë ftohur raportet e Haradinajt me ndërkombëtarët?
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, thuhet se nuk i ka punët aq mirë me përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë.
Ftohja e raporteve me të, siç mëson Indeksonline, ka nisur në kohën kur ambasadorët e shteteve të Kuintit lobonin për votimin e ndryshimeve kushtetuese dhe krijimin e Gjykatës Speciale.

Krijimi i kësaj gjykate ishte përkrahur fillimisht edhe nga AAK-ja, por burimet diplomatike tregojnë se pas mbetjes në opozitë, Haradinaj ishte “prekur” nga mospërkrahja e ndërkombëtarëve për t’u bërë kryeministër.

Pas krijimit të koalicionit PDK-LDK, kur erdhi përsëri në agjendë Gjykata Speciale, Haradinaj kishte qenë më i hapur me disa prej ndërkombëtarëve, duke folur “pa dorëza” me ta.

“Me jodiplomaci e kishte pyetur njërin prej ambasadorëve të Kuintit nëse do të hetohej edhe ai nga Gjykata Speciale. Ai kishte kërkuar garanca që nuk është, në mënyrë që AAK-ja ta votonte Specialen”, thotë ky burim diplomatik për Indeksonline.

Sipas tij, ftohja me e madhe me diplomacinë amerikane i ka ardhur pas takimit të fundit me ndihmëssekretaren amerikane të shtetit, Victoria Nuland, e cila ka qenë shumë e prerë me të. Prej atëherë Haradinajn nuk e kanë takuar shumica e ndërkombëtarëve, ndërsa ai është fokusuar në tema elektorale për konsum të brendshëm, që mund t’i sjellin vota.

“Nuk shihet as si politikan dhe as si njeri stabil. Nuk ka perspektivë politike. Zgjidhja më e mirë që do të mund të bënte shteti për të, meqë është edhe ish-kryeministër i Kosovës, është që ta emërojë diku si ambasador. Në këtë mënyrë do të kishte edhe ai një mundësi të mirë që të dilte prej politikës faqebardhë, sepse kështu siç po vepron, është duke u shndërruar në një figurë shumë komike”, thotë ky burim. /Albeu.com/
Shtuar më 18/09/2015, ora 20:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori