A i ndryshoi pushteti Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje?
Ish-kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje erdhën, por nuk qëndruan gjatë në pushtet, mirëpo sa mund t’i ketë ndikuar kjo kohë e shkurtër në kolltukun e ekzekutivit?

Vetëm pas 50 ditësh punë, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës u rrëzua me mocion të mosbesimit të inicuar nga vet LDK-ja, e të votuar nga më shumë se 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Pas 50 ditëve të tjera si qeveri në detyrë, Kurtit dhe Vetëvendosjes i erdhi koha t’ia lëshojnë zyrat Avdullah Hotit dhe qeverisë së tij që të drejtën për të formuar qeveri të re e morën nga verdikti i Gjykatës Kushtetuese.

E për këtë, Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar se nuk do t’i lëshonte zyrat, se do të thërrasin protesta dhe do të refuzojnë të lëshojnë pushtetin, duke e quajtur këtë me gjuhë edhe më nxitëse, “rezistencë”!

Por, qeveria Hoti u votua në Kuvendin e Kosovës para 2 ditësh dhe menjëherë të nesërmen mori detyrën e filloi punën, ndërsa Vetëvendosje nuk e pengoi këtë, përveç që Kurti dhe ministrat e tij refuzuan të bënin dorëzim-pranimin e detyrës tek pasardhësit e tyre.

Por, cila është e vërteta e gjithë kësaj? Pse Lëvizja Vetëvendosje nuk organizoi protesta dhe nuk e pengoi formimin e qeverisë së re? Pse munguan protestat dhe gazi lotsjellës në Kuvend? A e ndryshoi pushteti, Lëvizjen Vetëvendosje?

Lidhur me këtë, lajmi.net ka realizuar një intervistë me njohësin e çështjeve politike, Ramush Tahiri i cili shprehet se Vetëvendosje ngadalë ka kaluar nga Lëvizja në parti dhe ka filluar t’i ndryshojë taktikat.

Sipas Tahirit, Vetëvendosje ka ndryshuar programin dhe strategjitë e gjithashtu edhe prioritetet.

Tahiri shprehet se Vetëvendosje e ka parë Kosovën si rrugë transitore ose edhe si pengesë për Bashkimin Kombëtar, por tash po i respekton simbolet, shtetin dhe kanë avancuar në këtë drejtim.

Lëvizja Vetëvendosje është rritur, prej dikur që ka qenë Lëvizje, sot i ka më shumë elementet e partisë. Ka filluar të ndryshojë, program, taktikë dhe strategji. Më nuk e ka prioritet Bashkimin Kombëtar, por tani e ka prioritet ndërtimin e shtetit, krijimin e një mentaliteti të ri, rritjen e përkrahjes së qytetarëve, fokusimin tek gjeneratat e reja dhe ka filluar ashpërsinë e gjuhës ta zvogëlojë pak dhe që për mendimin tim, ka filluar të bëjë kapak edhe analiza dhe jo vetëm të japë vlerësime. VV e ka shikuar me mospërfillje shtetin e Kosovës sepse e ka parë si rrugë transitore ose si pengesë për Bashkimin Kombëtar, tash jo, tash po i respekton simbolet, shtetin dhe me ardhje në qeveri i kanë avancuar këto pikëpamje.”, shprehet Tahiri për lajmi.net.

Më tutje, Tahiri konstaton se ndarja i ka ndihmuar Lëvizjes Vetëvendosje të reflektojë në këtë pikë. Ai thotë se ka gjëra të cilat ende janë të VV-së siç janë pikat e kuqe në shesh që Tahiri i lidh me disiplinën komuniste.

Ai më tutje komenton edhe mos-praninë e Kurtit në dorëzim-pranimin e detyrës me Avdullah Hotin, duke thënë se ishin argumente populliste dhe se Kurti e ka shkarkuar Hotin duke qenë vet i shkarkuar.

“Sidomos pas ndarjes, iu ka ndihmu me reflektu dhe tani kanë marrë edhe njerëz të ri, Haki Abazi e të tjerë dhe tash këta kanë një retorikë të LVV-së, e kanë themi pak më ndryshe, filluar edhe nga ato pikat e kuqe në shesh që simbolizojnë pak edhe komunizmin, disiplinën, mirëpo është për kënaqësi e për lavdim që Lëvizja Vetëvendosje e dorëzoi pushtetin në mënyrë paqësore, siç tha edhe Ambasada e Amerikës, nuk ishte në pranim-dorëzim, argumentet ishin populliste, shembull Albin Kurti tha që nuk mund ta pranoj dikë që e kam shkarkuar, e vërtetë se e ka shkarkuar Avdullah Hotin, por këtë e ka bërë si kryeministër i shkarkuar dhe në këtë bazë nuk më duket si qëndrim i drejtë.”, tha Tahiri për lajmi.net.

Duke komentuar më tutje ndryshimet e Lëvizjes Vetëvendosje, ai thotë se janë “katastrofë” në politikë të jashtme, madje për deklaratat e Kurtit për “thika mbi harta” dhe “shampanjë në shtëpinë e bardhë”, Tahiri thotë se këso kualifikime nuk ka bërë as Sadam Hosseini karshi Amerikës.

Vetëvendosje po bëhet parti dhe po respekton ligjin dhe normat kushtetuese që po i kritikon, po thotë si qeveri e jashtëligjshme e të tjera por po i respekton. Për mua LVV në politikë të jashtme është katastrofë dhe në luajtjen e rolit kishte midis BE-së dhe SHBA-ve mua më është dukur, në kufijtë e marrëzisë, sidomos fjala e Kurtit që tha se “Hashim Thaçi më ka thënë merri dy tre kmisha e dy tre kravata dhe eja në SHBA ta bëjmë marrëveshjen tek thoshte se atje me shampanjë po presin të festojnë marrëveshjen ndërsa po rrijnë me thika mbi harta”, kësi kualifikimi nuk ka bërë as Sadam Hosseini, po flas si qytetar, për Amerikën sepse Kosova dhe shqiptarët, krejt çka kanë i kanë prej Amerikës. Nuk po them si servilizëm, por si bindje të mija politike, sepse mos të ishin SHBA-të, ne jemi vetëm një popull që 60 për qind e ka lëshuar vendin sepse nuk ka mundur të luftojë.”, tha më tutje Tahiri.

Sipas Tahirit, tash e tutje, Vetëvendosja duhet të konsultohet me ekspertë vendorë e të huaj lidhur me hapat e tyre politik, sepse siç konstaton ai, kjo është mënyra e vetme për t’i bindur qytetarët.

Protestat në pikëpamjet e Tahirit mbi Vetëvendosjen nuk i kontribuojnë atyre, sepse edhe populli nuk do dhunë.

Lëvizja Vetëvendosje duhet të riformohet të thërrasë ekspertë, të jashtëm e të brendshëm, për arsye që me pasë opsione për çështje të ndryshme dhe atë që nuk e mohojë unë, përkushtimin e LVV-së që është i drejtë. Çfarë iu duhet, iu duhet argumentim më i madh, kompromis më i madh, ndëgjim ndaj të tjerëve, dhe tani LVV ka dalë me strategjinë vet kundër të gjithëve, deri më tani ka kërkuar partnerë si me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por tani po thotë të gjithë në një anë, e ata t’i fitojnë 52 për qind, por për t’i fituar duhet të ketë një ndërtim, duhet të ketë rindërtim i të tashmës, jo në atë me gjuhën “hajna, të korruptuar, e kësi”, por duhet të ofrojnë diçka.”, tha Tahiri.

Ai krejt në fund tha se nëse Vetëvendosje aplikon dhunë dhe dalje në rrugë, do të përballet me shtetin e popullin.

“Unë pres debat në Kuvend nga Lëvizja Vetëvendosje, jo me gaz jo, por me projekt të gatshëm që e publikojnë dhe e lexojnë në Kuvend dhe e bindin popullin, me ligje dhe të tjera. Përndryshe nëse LVV aplikon dhunën, daljen në rrugë, atëherë do të përballet me shtetin edhe me popullin sepse populli nuk dëshiron dhunë dhe rrezikon të zhduket nga skena politike. Populli ka nevojë për zgjidhje, dhe nuk ke nevojë të mbash zgjidhjen për veti”, tha Tahiri në fund.

Pavarësisht se nuk ka pasur protesta këto kohë, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti është shprehur në një intervistë për REL se ato janë të pashmangshme dhe se do të ndodhin shumë shpejtë.
Shtuar më 06/06/2020, ora 09:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori