Sulmohet bosi i drogës në Elbasan
94 policë të sëmurë mendorë në Kosovë, të gjithë janë ish-ushtarë të UÇK-së
Pëlqej
Në policinë e Kosovës po del të ketë pjesëtarë me probleme të shëndetit mental. 94 policë të tillë Inspektorati Policor i Kosovës i ka identifikuar dhe ka kërkuar suspendimin e tyre. Drejtoria e përgjithshme e PK-së po refuzon ta bëjë një gjë të tillë. Policët në fjalë janë ish-pjesëtarë të UÇK-së me status të invalidit të luftës.

Vetëm pak ditë më parë, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë për suspendimin e 94 pjesëtarëve të saj.

Arsyeja po del të jetë shqetësuese. IPK po pretendon se pjesëtarët në fjalë kanë probleme të natyrës psikike.

Këtë e ka konfirmuar vetë IPK-ja dhe ka sqaruar arsyen e rekomandimit për suspendimin e këtyre policëve.

“Arsyeja e rekomandimit është, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore duke ju referuar dokumentacionit të tyre që i kanë paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Institutit të Psikiatrisë Forensike. Për shkak të dokumentacionit të tyre shëndetësor të paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është dëshmuar se të njëjtit kanë probleme shëndetësore të natyrës psiqike .”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Pjesëtarët në fjalë, të Policisë, janë ish-pjesëtarë të UÇK’së dhe e kanë të njohur statusin e invalidit të luftës.

Në polici të Kosovës janë gjithsej 148 pjesëtarë të cilët janë invalidë të luftës.

Dokumentacioni në të cilin është bazuar IPK-ja për të nxjerrë rekomandimin e tyre janë vërtetimet që këta pjesëtarë të Policisë kanë dërguar në institucionet kosovare për të fituar statusin e invalidit të luftës, gjatë procesit për identifikimin e veteranëve të UÇK-së.

IPK paralajmëron Policinë e Kosovës për rrezikun që mund të paraqesin këta pjesëtarë, sidomos duke pasur parasysh se të njëjtit janë të pajisur me armë zjarri.

Por, pa marrë parasysh këto paralajmërime të IPK’së, drejtoria e përgjithshme e Policisë së Kosovës, që po funksionon me ushtrues detyre të drejtorit, po refuzon t’i suspendojë këta pjesëtarë të saj, ka mësuar Gazeta Express përmes burimeve.

94 policët me probleme të shëndetit mendor vazhdojnë të dalin në punë në Polici.

Megjithatë, Policia e Kosovës thonë se janë duke e shqyrtuar rekomandimin në fjalë të IPK’së.

“Policia e Kosovës ka pranuar një rekomandim nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe i njëjti është në proces të shqyrtimit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.


Shtuar më 20/07/2018, ora 15:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori