“Rama dhe McGonigal bënë lëmsh dynjanë”, Salianji në Komisionin e Sigurisë: Në Shqipëri ka shpërthyer skandali, këtu flitet për sport

Mbledhja e Komisionit të Sigurisë sot është shoqëruar me debate, ku deputeti demokrat Ervin Salianji ka ngritur shqetësimin se pse nuk diskutohet për skandalin McGonigal dhe përfshiren e Ramës në dosjen e tij, si dhe për kamerat e grupeve kriminale.

Sipas tij sa herë ka ngjarje të tilla, në komision flitet për tema sporti.

“Komisioni i Sigurisë sa herë që ka ngjarje që kanë të bëjnë me sigurinë merret me ngjarje sporti.

Në Shqipëri ka shpërthyer një skandal i madh me ish-drejtorin e kundërzbulimit në SHBA dhe një rast tjetër ku policia njofton se do vijmë t’ju heqim kamerat, kamera në gjithë Shqipërinë që nuk dihet se prej sa vitesh.

Në këto kushte duhet të kishim thirrur institucionet. Nëse nuk vjen ministri të japë llogari në parlament, të paktën thërrisni ndonjë punonjës të japë llogari para qytetareve dhe para nesh.

Të kërkojmë informacionin e nevojshëm nga institucionet e sigurisë për një person që është bërë kryelajm në mediat botërore, McGonigal që në takim me kryeministrin dhe dy këshilltare privat bënë lëmsh gjithë dynjanë, korruptohet, jepen miliona euro vetëm për interesa politike të kryeministrit dhe kësaj qeverie. Ky komision nuk është komision që mat meritat sportive”, tha Salianji.

Nërkohë, Komisioni ka votuar disa ndryshime sa i takon karrierës ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

I pranishëm në këtë komision ishte dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili tha se kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është figurë apolitike.

“Drejtori i Shtabit  të Përgjithshëm të forcave të Armatosura s’ka lidhje me PD dhe PS, pra, ska lidhje me politikën”, tha Peleshi. Kështu, parashikohet se sportistit të nivelit të lartë t’i jepet grada honorifike me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Klasifikimi i gradave honorifike

Gradat honorifike, sipas rezultateve si sportist i nivelit të lartë janë:

  1.  Sportisti, i cili thyen rekord olimpik/botëror/evropian- Kolonel
  2. Vendi i parë deri në vendin e tretë në Lojërat Olimpike/kampionat botëror (Kolonel)
  3. Vendi i parë në kampionatin evropian (Kolonel)

Vendi i dytë deri në vendin e tretë në kampionatin evropian (Nënkolonel )

  1.  Vendi i katërt deri në vendin e gjashtë në Lojërat Olimpike (Nënkolonel)
  2.  Vendi i shtatë deri në vendin e tetë në Lojërat Olimpike (Major )
  3. Vendi i katërt deri në vendin e gjashtë në kampionate botërore (Major)

Vendi i parë në Lojërat Mesdhetare (Major).