Alarm në Kosovë, 225 raste të reja me kancerin e gjirit
Në tetëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë paraqitur 225 raste të reja me kancer në gji. Këto janë të dhënat zyrtare nga Instituti Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Derisa viti 2017 është përmbyllur me 325 raste të reja me kancer në gji, duke shënuar kështu kancerin më të shpeshtë në vend.

Kështu thotë onkologu Ekrem Hyseni, njëherësh drejtor i Institutit Onkologjik. Megjithëkëtë, krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë, numri i të prekurve me kancer në gji, është shumëfish më i vogël në Kosovë.

“Kjo tregon se është stabilizuar raportimi dhe tendenca jonë është zbulimi i hershëm. Gjithashtu, është bërë qasja më e lehtë e grave në diagnostikim. Sa i përket numrit të rasteve të reja brenda vitit, krahasuar me numrin e rasteve të reja nëpër botë, në vend është pesë herë më i vogël numri i të prekurve se për shembull në Maqedoni, dhe dhjetë herë më e vogël se në Slloveni. Po e bëj e këtë krahasim, pasi që numri i banorëve është përafërsisht i njëjtë”.

“Nuk është shqetësuese, ndonëse kemi nevojë ta fusim në funksion skreningun e kancerit të gjirit, dhe do të na ndihmonte që të zbulojmë edhe më herët, pasi zbulimi i hershëm është mjekim më i lehtë, kosto më të vogël dhe mjekimi shumë më efikas”, thotë Hyseni.

Ndërkaq, sa i përket furnizimit me barna për trajtimin e kancerit të gjirit, Hyseni thotë se prej vitesh është stabil sa i përket furnizimit me barna esenciale, pasi i është dhënë prioritet kësaj sëmundjeje.

“Sa i përket furnizimit me barna është stabil, me mungesë të vetëm një ilaçi prej vitesh, në mungesë të ofertimit të kompanive për të ofruar këtë ilaç. Pra, mund të them se pacientëve nuk u bie të shpenzojnë për këtë sëmundje, pasi i trajtojmë brenda klinikës”, shprehet Hyseni.


Shtuar më 03/10/2018, ora 13:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori