Përmbytjet në Kosovë, Peleshi: Forca dhe mjete të FA janë vendosur në Kukës, gati të ndërhyjmë nëse situata përkeqësohet

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë me dije se disa forca dhe mjete të Forcave të Armatosura janë vendosur në Kukës, në mënyrë që të jenë në gatishmëti për të ndërhyrë në Kosovë nëse do të ketë përkeqësim të situatës për shkak të reshjeve.

Peleshi: Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës. Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira.

Disa qytete në Kosovë janë duke u përballur me përmbytje masive si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme tha se ka ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat.

Në Mitrovicë dhe Pejë ka pasur ngritje të nivelit të ujit në lumenj dhe vërshime të shpejta. Qyteti më i prekur është Skënderaj, ku autoritetet lokale kanë shpallur gjendje emergjente.

Lumi Klina dhe disa degë të tij, kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar vërshime në rreth dhjetë fshatra të kësaj komune.

Në pjesën veriore të vendit, disa nga zonat ku ka pasur  më shumë vërshime nga uji janë: Lagja e Boshnjakëve ku uji ka depërtuar në disa shtëpi, rruga Mitrovicë-Bërnjak ka rrëshqitje të dheut, po ashtu rruga në fshatin Zubc, ndërsa rruga Qaber- Zubin Potok mbetet e bllokuar për shkak të shembjeve të gurëve dhe dheut.

Ndërkohë duke parë gjendjen e krijuar autoritetet kanë vendosur që të premten në shkollat e komunës së Klinës të anulohet mësimi./Albeu.com.


Shtuar 20.01.2023 20:26