80 mijë euro gjobë për shkeljet gjatë fushatës në Kosovë
Pëlqej
Sa më shumë ditë të fushatës që po kalojnë, aq më shumë shtohen gjobat ndaj partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen me 22 tetor.

Po, me gjithë gjobat e shqiptuara, monitoruesit e fushatës thonë se ky proces po zhvillohet me pak probleme dhe se fushatat e partive politike po përqendrohen kryesisht në qytetet e medha të Kosovës.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa konfirmon se deri më tani ka shqiptuar një numër të konsideruar të dënimeve për partitë politike të cilat kanë shkelur kodin e mirësjelljes.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tha për Radion “Evropa e Lirë” se ky Panel deri më tash ka pranuar shumë ankesa për të cilat janë marrë vendime dhe janë gjobitur pothuajse të gjitha partitë kryesore politike në vend.

“Në bazë të vendimeve që janë paraqitur nga ankuesi dhe nga gjetjet që janë konstatuar nga Paneli, janë shqiptuar gjithsej 79,650 euro gjoba, shkruan tesheshi. Të gjitha këto gjoba, pjesa më e madhe e tyre, kanë të bëjnë me kodin e mirësjelljes”, tha Desku.

Sipas Deskut, partitë më të mëdha kanë marrë dënime më të larta, përderisa ka edhe ndonjë subjekt politik që nuk është gjobitur fare.

“Nga shuma e gjobave të cilat janë shqiptuar, gjendja është kjo: Lidhja Demokratike e Kosovës është dënuar deri me tash me 44, 300 euro, Partia Demokratike e Kosovës me 10,750 euro, pastaj, Lëvizja Vetëvendosje me 7,100, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5,050, Aleanca Kosova e Re me 6,750, Alternativa me 1,650 euro, Partia Demokratike Turke Kosovës me 550, Nisma për Kosovën me 1,100 euro, Lista Serbe me 450 e kështu me radhë”, tha Desku.

Kryesues i Sekretariatit të Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, theksoi se aktualisht janë duke u shqyrtuar edhe 40 ankesa të tjera, për të cilat, sipas tij, shpejt do të dilet me vendime.

“Në afatin më të shkurtër ligjore do të vendoset për të gjitha lëndët dhe do të njoftohen palët me vendimet”, tha Desku.

Ky Panel ka bërë të ditur se shumica e ndëshkimeve ndodhin për shkak të vendosjes së posterëve në hapësira publike, por edhe shkelje të tjera.

Ndonëse kanë mbetur me pak se 10 ditë deri në ditën e zgjedhjeve, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se nga monitorimet e bëra në fushatën parazgjedhore janë bërë ankesa të ndryshme.

Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, tha për Radion “Evropa e Lirë” se të gjitha subjektet politike në bazë të ligjit janë të obliguara ta paguajnë borxhin e shqiptuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ai tha se këto dënime të shqiptuara për partitë politike duhet të kuptohen edhe si thirrje për respektimin e kodit të mirësjelljes në zgjedhje.
Shtuar më 12/10/2017, ora 20:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori