80 mësues me diploma false në Kosovë, dyshohet edhe për Maqedoni
Arsimtarëve me diploma false jo vetëm që u janë konfiskuar “diplomat”, por janë dënuar edhe me 900 euro gjobë. Kështu ka vendosur Gjykata Komunale e Gjakovës për rreth 80 mësimdhënës të Malishevës, për të cikët është konstatuar se ishin me diploma të falsifikuara.

Aktgjykimet po shpërndahen në disa shkolla si në Carrallukë, Panorc, Temeqinë, Bubavec etj. dhe marrësit po i mbajnë në heshtje të plotë dhe kopjet e tyre e kanë të vështirë t’i sigurojnë edhe zyrtarët e Drejtorisë KomunaleArsimit, si dhe vetë drejtorëte shkollave.

Sipas këtyre aktgjykimeve, kopje të të cilave ka arritur t’i sigurojë “Zëri”, dënimi primar është gjoba prej 900 euro, e cili duhet të paguhet brenda dy javësh, ndërkaq në të kundërtën do të zëvendësohet me dy muaj burg dhe krahas kësaj, bëhet edhe konfiskimi i diplomave që janë rezultat i veprës penale.

Krahas mësimdhënësve të Malishevës, akuzohen edhe Neki Myha dhe Njazi Xharavina, zyrtarë në Shkollën e Lartë në Gjakovë, të cilët për dhënien e këtyre diplomave kanë marrë para nga të akuzuarit.

Në arsyetimin e aktgjykimeve thuhet se gjatë vitit 2010 Prokuroria Komunale në Gjakovë ka kërkuar urdhër ndëshkimor për veprën penale të falsifikimit të dokumentit nga neni 332 i KPK, kurse denoncimin e kishte bërë Policia në Pejë pas hetimit të rastit dhe marrjes në pyetje të mësimdhënësve.

Isuf Morina, drejtor i Drejtorisë KomunaleArsimit, thotë se aktgjykimet nuk u janë drejtuar as DKA-së e as drejtorëve të shkollave, por u janë shpërndarë të dënuarve.

“Jam i informuar se ka filluar shpërndarja në disa shkolla, por kjo është përgjegjësi individuale dhe aktgjykimet janë individuale”, thotë Morina, duke siguruar se në rast të kërkesës për veprim, DKA do të veprojë sipas ligjit.

Aktvendimet janë të shkallës së parë dhe mund të kundërshtohen në afat prej 8 ditësh dhe merrte vesh se shumica kanë parashtruar kundërshtim, i cili zgjat procedurat gjyqësore deri në plotfuqishmërinë e tyre.

Ndërsa agjencia e lajmeve INA mëson se diplomat false të kësaj shkolle janë evidente edhe në Maqedoni, të cilat janë hasur edhe tek persona që janë të përfshirë në skenën politike. Mediat shqiptare në Shkup kohë më parë kanë shkruar lidhur me skandalin, mirëpo asgjë nuk është ndërmarrë apo nxitur nga ana e organeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Shtuar më 21/12/2011, ora 09:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori