Zgjedhjet lokale do mbahen në tetor?
Zgjedhjet lokale po mbesin peng e problemit të veriut, por mundësia është që të mbahen në tetor për të gjithë territorin. Të paktën kështu ka konfirmuar Hajredin Kuçi.

Por, burime nga Presidenca shprehen se po flitet që zgjedhjet të mbahen në data 6 ose 13 tetor. Ndonëse ka pasur shumë kërkesa nga partitë politike që të shpallet data e tyre, presidentja e vendit Atifete Jahjaga ka preferuar që të shpallet pas përfundimit të punëve rreth marrëveshjes së Brukselit, shkruan Express.

"Posa të sqarohen detajet e marrëveshjes Presidentja do të publikojë vendimin", ka thënë një zyrtar i Presidencës, pa dashur t'i përmendet emri në gazetë.

Sidoqoftë, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se janë duke u koordinuar me Presidenten dhe partitë politike për të shkuar në zgjedhje lokale në gjithë Kosovën.

"Besoj se në muajin tetor duhet të ndodhë kjo. Por, mbetet në koordinim të partive politike dhe një vendimi të Presidentes së Republikës", ka thënë Kuçi, gjatë raportimit në Komisionin për Legjislacion. /albeu.com/
Shtuar më 11/06/2013, ora 11:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori