54 mln euro për pronarin e ri të PTK-së
Qeveria e Koosvës brenda kësaj jave pritet që të shpallë kompaninë AXOS pronarin më të ri të kompanisë më fitimprurëse në vend, të PTK-së. Kjo e fundit ka ofruar çmimin më të lartë për privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së.

E, përveç 35 milionë eurove para kesh që kanë kërkuar t’ua lënë Qeveria e Kosovës në llogari, privatizuesi i PTK-së do të ketë ‘dhuratë’ edhe 53.8 milionë euro në formë të investimeve.

Në zyrën për informim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e kanë konfirmuar këtë duke shpjeguar se gjatë këtij viti janë planifikuar të investohen në PTK 43.8 milionë euro.
“Në vitin 2013 janë planifikuar edhe 10 milionë euro mjete te pashfrytëzuara ne vitin 2012, kështu që shuma e përgjithshme e investimeve kapitale është 53.8 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.

Kjo ministri po ashtu ka konfirmuar se gjatën tri viteve të fundit në PTK janë investuar 128. 7 milionë euro, të cilat do t’i trashëgojë pronari i ri i PTK-së, shkruan gazeta Tribuna.

Kompania “AXOS”, ka ofruar 277 milionë euro për privatizimin e PTK-së por me kusht që kjo ndërmarrje të ketë në llogaritë e saj 35 milionë euro ose në të kundërtën do të zbresë për këtë shifër çmimin e ofruar, që i bie se vlera totale e ofruar është prej 242 milionë euro.
Në rast se nënshkruhet marrëveshja, sipas kushteve të kontratës, pagesën e parave duhet ta bëjë
në momentin kur e merr në menaxhim PTK-në.

“Çmimi total i blerjes së PTK-së duhet të paguhet në ditën e përfundimit, që është kur të jenë përmbushur të gjitha kushtet”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të MZHE-së, dërguar gazetës. /albeu.com/
Shtuar më 16/04/2013, ora 10:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori