5 ambasadorët e rinj të Kosovës
Shërbimit diplomatik të Kosovës do t’i shtohen edhe pesë ambasadorë të rinj. Burime të portalit KosovaTimes kanë konfirmuar se Ylber Hysa është nominuar për ambasador në Shkup, Ahmet Shala në Bruksel, Sylejman Selimi në Tiranë, Shpend Kallaba në Sofje dhe Hafiz Gagica në Berlin.

Sipas këtyre burimeve, për këta emra është njoftuar edhe presidentja Atifete Jahjaga dhe ata do të fillojnë punën kur të kthehet agremani nga qeveritë e vendeve ku janë caktuar të shërbejnë.

Kosova qe një kohë të konsiderueshme nuk ka ambasador në Shkup, Tiranë dhe Lubjanë, por vetëm të ngarkuar me punë. Ndërkaq, ambasadorët aktualë në Bruksel, Berlin dhe Sofje do të emërohen në ambasada tjera ose do të ftohen për të punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shkruan Indeksonline.

Befasia më e madhe në përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj është Hafiz Gagica, veprimtar shumëvjeçar në diasporën kosovare në Gjermani. Ai ka qenë kryetar i LDK-së për vite të tëra. Në vitin 2006 kur është ndarë LDK në dy fraksione, Gagica i është bashkuar LDD-së së Nexhat Dacit, por në Kuvendin e fundit zgjedhor të LDK-së është kthyer sërish në partinë e “vjetër”.

Gjenerali Sylejman Selimi ende është komandat i FSK-së, por ka paralajmëruar se nuk do të kërkoj mandat të ri në krye të Forcës së Sigurisë. Shpend Kallaba ka qenë këshilltar i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, ndërkaq Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë në Qeverinë e kaluar.

Ndërsa Ylber Hysa, ish-nënkryetar i Partisë Ora, aktualisht është koordinator i strategjisë për veriun e Kosovës.
Shtuar më 03/11/2011, ora 20:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori