48 orët e Thaçit, Albin Kurti mbledh sot kryesinë
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot gjatë ditës pritet që të mbledhë kryesinë e partisë.

Në këtë takim, Kurti do të diskutojë me kryesinë pas takimit me presidentin e vendit, Hashim Thaçin për propozimin e mandatarit, si parti e dalë e para nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi ka pritur dje në takim konsultativ liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti tha pas takimit të shkurtër me presidentin e vendit, se kanë diskutuar për propozimin, e ai ka deklaruar se të njejtën çështje do ta diskutojnë në kryesinë e partisë, që pastaj të dërgojnë me shkrim propozimin.

“Në këtë takim disa minutësh, e dëgjova presidentin që shprehu interesimin për formimin sa më të shpejt të Qeverisë. Por, gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, mirëpo në bazë të Kushtetutës kjo duhet të bëhet në një kërkesë me shkrim. Do ta diskutoj këtë në Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe do ta dërgojmë me shkrim propozimin e Vetëvendosjes”, tha Kurti.

Pas takimit, LV dhe presidenti i vendit lëshuan deklarata të kundërta lidhur me afatin që ka partia e dalë e para nga zgjedhjet për të propozuar mandatarin.

Thaçi kërcënoi VV-në me veprime kushtetuese ligjore në rast se nuk dorëzojnë emrin deri të mërkurën, ndërsa nga partia e Albin Kurtit u shprehën se nuk kanë diskutuar për këtë gjë në takimin katër minutësh.

Nga kjo parti, kanë deklaruar se sipas kushtetutës, nuk ka afat ligjor se kur duhet të dorëzohet propozimi te presidenti./GazetaExpress/
Shtuar më 07/01/2020, ora 12:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori