35 gra dhe fëmijë kosovarë largohen nga Siria
Ka arritur në 35 numri i grave dhe fëmijëve nga Kosova që janë larguar nga kampet dhe burgjet e Sirisë, drejt qytetit Qamishli në kufi me Turqinë.

Ata po presin riatdhesimin në vendlindje duke tentuar kalimin e kufirit për të dalë në Turqi.

Por, drejtori i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Kosovë, Bedri Elezi, i cili ndihmon në riatdhesimin e tyre nga zonat e konfliktit, tregon se në kampet më të mëdha të Sirisë, larg kufirit me Turqinë, dyshohet se gjenden edhe rreth 37 gra e fëmijë të tjerë.

Por, çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës për riatdhesimin e tyre?

Derisa Ministria e Punëve të Jashtme nuk i është përgjigjur kësaj pyetje, ministri i Punëve të Brendshme thotë se qytetarët janë të sigurt atje dhe në kontakt me palën amerikane po presin kryerjen e këtij operacioni.

Por, funksionin e palës amerikane e vë në pikëpyetje Elezi, që pas tërheqjes së trupave ushtarake me kërkesë të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Elezi tregon se mundësitë më të mëdha për kthimin e tyre ekzistojnë përmes shtetit turk apo edhe autoriteteve kurde.

Në mesnatën e 19 prillit Kosova u bë ndër vendet e para që ktheu shtetasit e vetë nga lufta e ISIS-it, operacion i kryer me përkrahjen e SHBA-ve.

Me këtë rast u paralajmërua edhe kthimi i mbi 80 të tjerëve që mbetën në Siri.

Top Channel raportoi ditë më parë për historinë e një vajze nga Kosova, motra e së cilës ka mbetur ende në Siri.

E gjatë shtatë vjetëve të fundit besohet se më shumë se 400 qytetarë i janë bashkuar luftës së Shtetit Islamik./TCH/
Shtuar më 21/10/2019, ora 22:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori