Asnjë lajm për shëndetin e Papa Françeskut, gazetarët rreshtohen jashtë spitalit ku ai po kurohet

Dhjetra kamera dhe gazetarë janë vendosur jashtë Spitalit Universitar Katolik Agostino Gemelli të Romës, ku po trajtohet Papa Françesku.

Vatikani nuk jep shumë informacion në lidhje me shëndetin e tij dhe shtrimi i tij në spital ka shkaktuar shqetësim global, duke pasur parasysh shëndetin dhe moshën e papës 86-vjeçar.

Në fillim të vitit 2000, Papa iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një pjese të njërës mushkëri, ndërsa në korrik 2021, në të njëjtin spital, iu nënshtrua një operacioni në zorrën e trashë.

Në të njëjtën kohë, Vatikani nënvizon se Françesku vuan nga bronkiti kronik, me problem astme dhe se ka nisur të trajtohet me antibiotikë.

Gjendja e tij shëndetësore, e cila ndoshta u përkeqësua për shkak të punës së tepërt, është “gradualisht duke u përmirësuar dhe trajtimet e përshkruara po vazhdojnë. Sot pas mëngjesit, ai lexoi disa gazeta dhe rifilloi punën”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Selisë së Shenjtë Matteo Bruni.

Pas audiencës së të mërkurës në Vatikan, Papa Françesku ndjeu gulçim të rëndë dhe u gjykua e nevojshme të dërgohej në spital me ambulancë.

Sipas informacioneve, rezultatet e analizave të gjakut dhe rëntgenit të gjoksit që i është nënshtruar janë të mira, por Papa do të duhet të qëndrojë në spital për disa ditë.

Pritet të konstatohet nëse Papa do të jetë në gjendje të kryesojë ceremonitë fetare të Pashkëve katolike, e cila këtë vit festohet më 9 prill.

Sipas informacioneve, në rast se Françesku qëndron për disa ditë në spital, një nga kardinalët më të vjetër të Vatikanit do të kryesojë ceremonitë fetare, duke filluar me shërbimin katolik të së dielës së Palmës më 2 prill. /albeu.com


Shtuar 30.03.2023 13:57