Të shtëna me armë, gaz lotsjellës, përplasje fizike dhe djegie mjetesh, çfarë po ndodh në veri të Kosovës

Situata në veri të Kosovës, komuna me shumicë serbe që tashmë drejtohen nga kryetarë shqiptarë, po shoqërohet sot me tensione.

Në të katër komunat, u dëgjuan fillimisht sirena alarmi, ndërkohë që para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.

Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur në tubim para objektit komunal në Zveçan, komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit.

Mësohet gjithashtu se ka pasur të shtëna me armë zjarri, përplasje fizike dhe një makinë e djegur e efektivëve të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, ka treguar se çfarë po ndodh atje.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend. Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok,  për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftim të policisë.

Kujtojmë se sonte në Beograd, Aleksandër Vuçiç, pritet të mbajë një miting, në fakt një anti-miting ndaj mitingjeve masive të Opozitës së atjeshme. Ishte paralajmëruar se dhjetëra autobusë nga Kosova do të shkojnë atje në përkrahje të presidentit serb. Por, burime për Express thonë se tashmë të njëjtit janë urdhëruar që të rrinë në Kosovë.