10 këshilltarë për Hajredin Kuçin
Trembëdhjetë zyrtarë janë të punësuar vetëm në Zyrën e Hajredin Kuçit në Qeveri. Në kabinetin e Ministrit të Drejtësisë punojnë katër zyrtarë më shumë se sa në Zyrën e Kryeministrit Hashim Thaçi.

Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçit ia kanë pa hajrin trembëdhjetë zyrtarë, të cilët janë punësuar në kabinetit e tij, raporton Express.

Numër kaq të madh të të punësuarve nuk ka as në Kabinetin e Kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka emëruar shtatë këshilltarë, një Shef të Kabinetit dhe një Shef të Protokollit.

Pra, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka marrë afër vetës dhjetë këshilltarë, një shefe të kabinetit dhe dy asistentë.

Listës së këshilltarëve të Kuçit i prin Muharrem Mahmutaj si Këshilltar të Lartë Politik, ndërsa Zejnel Kelmendi, Idriz Blakaj, Driton Lajçi, Eqrem Zenelaj, Zejnullah Gruda, Rexhep Haxhimusa, Donikë Qerimi, Dardana Rruka dhe Jehona Lushaku janë këshilltarë të Zëvendëskryeministrit.

Shefe e Kabinetit është ish-kandidatja e PDK-së për deputete, Laura Perjuci-Zherka, kurse Brikenda Shala e Shqiprim Haziri e luajnë rolin e asistentëve të Ministrit të Drejtësisë.

Ndryshe, Kuçi aktualisht është Nënkryetar i PDK-së dhe njeri më i afërt i Kryeministrit Hashim Thaçi në Qeveri.

Kuçi kishte dhënë dorëheqje verën e kaluar nga posti i Ministrit të Drejtësisë për shkak të dy neneve të kontestuar nga gazetarët në Kodin Penal. Ende pa u shfuqizuar këto dy nene, Kuçi ishte rikthyer në pozitat qeveritare.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë prej prillit të vitit 2011 e luan edhe rolin e Zëdhënësit të Ekzekutivit, meqë Qeveria Thaçi II ende s’ka të emëruar Zëdhënësin. /albeu.com/
Shtuar më 02/05/2013, ora 16:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori