Po vëzhgohen lëvizjet e grupeve islamike
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i ka bërë thirrje kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës që të distancohet nga grupe të caktuara radikale.

“Është mirë që kreu i Bashkësisë Islame të distancohet nga grupe të caktuara për të cilat mendohet se janë të influencuara nga grupe të ndryshme të radikalizmit islam, si vehabizëm ose forma të tjera”, ka thënë Rexhepi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth kërkesës së myftiut Naim Tërnava bërë organeve të rendit, shkruan Koha Ditore.

Ai ka thënë se autoritetet kosovare prej fillimit kanë alarmuar se mund të rrezikohet edhe interesi nacional nga këto grupe, për të shprehur, siç ka thënë ai, krenarinë për tolerancën fetare.

“Kemi dashur që të jepet hapësira e mjaftueshme për këtë islamin sekular, të cilin ne e kemi pak më tradicional dhe e ka origjinën më shumë nga Turqia dhe konfesionet e tjera, si katolik, ortodoks dhe protestant, që i kemi”, ka thënë ai.

Rexhepi ka thënë se është punë e Agjencisë kosovare të inteligjencës që t’i përcjellë këto grupe. Ai është shprehur se nuk mund të jetë i verbër dhe të mohojë se nuk ka aktivitete të tilla në Kosovë, por, fatmirësisht, sipas tij, deri tash nuk ka pasur aktivitete që kanë rrezikuar vendin me ndonjë akt terrorist.

Shqetësues e ka cilësuar faktin se ka pasur dhunë ndaj disa pjesëtarëve të Bashkësisë Islame.

“Këtë e marrim me shqetësim, me kujdes. Do t’i monitorojmë dhe nëse ka elemente për të vepruar, ne nuk do të hezitojmë”, ka thënë ai.

Javën e kaluar kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë që t’i kontrollojnë mirë kufijtë pasi, sipas tij, në Kosovë po hyjnë individë të dyshimtë, të cilët përmes aktiviteteve fetare po synojnë indoktrinimin e rinisë me frymë ekstremiste.

Në një intervistë për Radio Kosovën, ai ka kërkuar nga besimtarët myslimanë që të mos bien pre e asnjë interesi të ngushtë, pavarësisht se nga vjen ai, ndërsa në këtë drejtim pret edhe bashkëpunimin nga institucionet.
Shtuar më 30/11/2011, ora 10:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori