Grabiti florinj në dy argjendari, arrestohet 48-vjeçari nga Shkodra

Policia ka vënë në pranga një 48-vjeçar nga Shkodra i cili kishte vjedhur një argjendari në Burrel. Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas ishte autor i një vjedhjeje argjendarie të ndodhur edhe në Gjirokastër në fillim të shtatorit.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës.

Kapet dhe ndalohet 48-vjeçari, i cili ishte në kërkim për 2 vjedhje argjendarie ne Burrel dhe Gjirokastër.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, falë punës së mirëorganizuar dhe provave të grumbulluara, në bashkëpunim dhe me DVP Shkodër,  kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim S. M., 48 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas dyshohet se me datë 20.12.2021, ka vjedhur sende floriri në një argjendari në qytetin e Burrelit.

Gjithashtu nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autori i vjedhjes së një argjendarie në qytetin e Gjirokastrës në datën 08.09.2021.

Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që dyshohet se janë  kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat për veprime të mëtejshme./albeu.com