Jakshiq: Serbët e veriut do të pengojnë zbatimin e marrëveshjes
Serbët e veriut do të pengojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit në mënyra të ndryshme, protesat, bllokada apo edhe me bojkotim të zgjedhjeve lokale. Kështu është shprehur deputeti i DSS-së, Vojisllav Koshtunicës, nga Mitorvica Marko Jakshiq në një deklaratë për mediat serbe.

Sipas tij, Qeveria e Serbisë i ka tradhtuar serbët e Kosovës.

“Hapi i parë për të penguar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit do të jetë bojkoti i zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen me ligjet kosovare. Disponimi i popullit është i tillë, që bojkoti do të jetë i suksesshëm”, ka thënë Jakshiq.

Ai ka vlerësuar se protestat dhe bllokadat nga ana e serbëve të Kosovës do të shtrihen në gjithë Serbinë.

“Do të përpiqemi që rezistencën tonë nga veriu i Kosovës ta zhvendosim në Beograd, sepse tradhtia nuk është në Kosovë, por në kryeqendrën e Serbisë. Luftën politike do ta bëjmë më shumë në Beograd se në Kosovë, për shkak se rreziku kryesor për ne nuk vjen nga Prishtina, as nga Brukseli, por nga Beogradi”, ka vlerësuar Jakshiq, i cili ka siguruar se serbët e Kosovës nuk do t’i pranojnë dokumentet e “shtetit të vetëshpallur të Kosovës, sepse duan të mbesin në sistemin kushtetues e juridik në kuadër të Serbisë”. /albeu.com/
Shtuar më 24/04/2013, ora 12:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori