Studentët shqiptarë, hacker-a me karta kredit
Albeu.com
Hacker-at shqiptarë “sulmojnë” kompaninë e fluturimeve ajrore “Belle Air”. Bileta të udhëtimit të kësaj kompanie janë blerë me anë të internetit me kartat e kreditit të një kompanie franceze, të cilës më pare, hacker-at i kishin vjedhur numrin e llogarisë dhe kodin përkatës. Kompania “Belle Air” ka identifikuar personat që kanë udhëtuar me këto bileta të blera në mënyrë pirateske në internet, dhe i ka denoncuar për vjedhje me anë të mashtrimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burime pranë sektorit të Antikrimit Ekonomiko-Financiar të kësaj drejtorie, të cilët po merren me hetimin e çështjes, thanë për Gazetën se kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për Enkelejda Hasanpapajn, 25 vjeçe; Eljon Baçellin, 25 vjeç; Elvis Kerenxhin, 21 vjeç; Banush Muskajn, 43 vjeç dhe Ilia Kerenxhin, 60 vjeç. Hetuesit konfirmuan se tre të parët janë studentë në Itali dhe janë autorë të piraterisë, duke pajisur veten e tyre dhe të afërmit. 60-vjeçari Ilia Kerenxhi, mësohet të jetë i ati i studentit Elvis Kerenxhi, i cili dyshohet të jetë edhe “koka” e këtij mashtrimi.
Vjedhja
Tre studentët duket se e kanë perfeksionuar së tepërmi leximin e faqeve të “padukshme” të internetit. Duke kaluar kohë të gjatë on-line, studentët mundësonin që në forume të ndryshme të zbulonin numrat e llogarisë dhe kodet e kartave të kreditit. Për të mos u kuptuar, ata kanë preferuar të luajnë kartat e një kompanie franceze dhe me to të porositnin bileta vajtje-ardhje në Itali. Por, vetëm kur nga kompania ajrore “Belle Air”, i ka shkuar fatura e biletave kompanisë franceze, këta të fundit kanë nisur të kërkojnë sqarime, pasi nuk kanë pasur dijeni për biletat. Janë dashur dy javë që kompania ajrore dhe policia e kryeqytetit të mundësonin identifikimin e “hacker-ave” dhe zbulimin e skemës mashtruese.
Hetimi
Tre studentët Enkelejda Hasanpapaj, Eljon Baçelli, Elvis Kerenxhi, babai i këtij Ilia dhe Banush Muskaj, janë në hetim në gjëndje të lirë për dy akuza, atë të “ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike” dhe të “vjedhjes me anë të mashtrimit”. Nëse për akuzën e parë rrezikojnë nga gjobë deri në 3 vite burg dhe për të dytën nga gjobë deri në 5 vite burg, të akuzuarit rrezikojnë një total prej 5 vjetësh burg secili, nëse hetuesit vërtetojnë dyshimet e kompanisë “Belle Air”.
Shtuar më 14/09/2007, ora 14:25
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori