Kovaçevski premton rritje të pagës minimale: Qeveria e Maqedonisë është në anën e punëtorëve

Kryeministri Dimitar Kovaçevski është shprehur se qeveria e drejtuar prej tij do të qëndrojë në krahë të punëtorëve dhe do të rrisë pagat minimale.

Komentet ai i ka bërë sot në profilin e tij në Facebook, por nuk ka dhënë shifra të sakta se sa do të rriten pagat.

“Dialogu i hapur shoqërorë me të gjithë palët e prekura do të na çojë në zgjidhjen më të përshtatshme që është në interes të punëtorëve. Pres që nesër të kemi një vendim për rritjen e pagës minimale. Siç kam premtuar, ne do t’i zgjidhim në mënyrë efektive të gjitha çështjet në interes të qytetarëve dhe do t’i përmbushim premtimet. Ky është parimi dhe fryma në të cilën do të zgjidhen të gjitha çështjet që synojnë ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve”, ka shkruar Kovaçevski.

Ndërkohë kujtojmë se Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon që paga minimale me ligj të bëhet 18.000 denarë, ndërkaq përfaqësues të punëdhënësve thonë se mund të përballojnë rritje prej 16.300 denarëve./albeu.com/