Ndeshjet e Nations League, Kumbulla: Nuk jam unë lideri i mbrojtjes

Mbrojtësi Marash Kumbulla është grumbulluar nga Edi Reja për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me Kazakistanin (11 tetor) dhe me Lituaninë (14 tetor).

Futbollisti që u transferua nga Verona te Roma gjatë merkatos së verës u shpreh se nuk e di nëse do luajë në dy ndeshjet e ardhshme, pasi për këtë vendos trajneri.

Më tej në konferencën për shtyp ai shton se mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini e përgëzoi për kalimin te Roma.

“Roma? Kam shkuar në një klub me histori në Itali. Ndoshta më ndihmon me Kombëtaren. Trajneri është ai që vendos. Me rëndësi është që Kombëtarja të luajë mirë dhe të ruajë rezultate.

Nuk është vetëm problem i mbrojtjes, mbron i gjithë ekipi. Do përmirësohemi në të gjitha repartet vazhdim. Unë nuk e di a jam titullar apo jo. Vendos trajneri. Shpresoj të luaj dhe të ndihmoj skuadrën.

Jam mbrojtës i ri dhe nuk jam unë ai që bëj liderin. Janë Gjimshiti e Dermaku para meje që mund të bëjnë liderin. Trajneri nuk më ka kërkuar asgjë specifikisht. Duhet të stërvitem fort dhe të luaj me ekipin tim.

Kam ndërruar bluzën me Chiellinin, pasi është idhulli im. Më tha bravo që zgjodha të shkoj te Roma.

Kombëtarja humb pa senatorë, pasi ata kanë vite këtu. Por edhe ne të rinjtë kemi karakter. Në çdo ndeshje ne futemi në fushë për të fituar. Mendojmë për ndeshjen me Kazakistanin, për atë flet trajneri. Le të fitojmë atë ndeshje si fillim”, u shpreh Kumbulla.


Shtuar 6.10.2020 09:54