Kovaçevski: Negociatat mes RMV-së dhe BE-së duhet të përfundojnë në vitin 2030

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, është shprehur se qeveria ka marrë vendim për krijimin e strukturës për negociata për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.

Komentet Kovaçevski i bëri në një konferencë për mediat, ku theksoi se negociatori kryesor do të jetë zëvendës-kryeministri Bojan Mariçiq, ndërsa ekipi do të përfshijë edhe ekspertë vendas, nëpunës civilë dhe ekspertë jashtë institucioneve, si ekspertë të huaj.

Kovaçevski beson se institucionet kanë kapacitet për negociata me BE-në dhe pret një strukturë cilësore dhe efikase që do të përballet me sfidat.

Ai bëri të ditur se i gjithë procesi do të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.

“Negociatat duhet të vazhdojnë me dinamikë të përshpejtuar dhe të mbyllen sa më parë. Përfundimi i negociatave deri në vitin 2030 është një qëllim i arritshëm”, tha Kovaçevski duke i bërë apel edhe opozitës të marrë pjesë në proces./albeu.com/